Pasuritë e paluajtshme/ Sektori i ndërtimit në lulëzim, por të ardhurat nga TAP ranë me 23% më 2023

Sektori i ndërtimit dhe aktiviteti i pasurive të paluajtshme ka ardhur në rritje në vitin 2023, por të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP) mbi transaksionet e pasurive të paluajtshme kanë shënuar rënie më 2023.

Të dhënat zyrtare nga Administrata Tatimore tregojnë se, në vitin 2023 të ardhurat nga TAP mbi pasuritë e paluajtshme shënuan 5,4 miliardë lekë nga mbi 7 miliardë lekë në vitin 2022 me rënie 23%.

Të dhënat mbi PBB tregojnë se në 9 mujorin 2023 aktivitetet e pasurive të paluajtshme u rritën me 11.6 %. Të dhëna të tjera mbi tregun tregojnë se çmimet e banesave janë rritur. Në kontrast, të ardhurat nga TAP mbi shit-blerjet e pasurive të paluajtshme pësuan rënie vitin e kaluar.

Tatimet sjellin në vëmendje se investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si persona juridikë, (shoqëri tregtare) me objekt ndërtimin dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, nuk janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Ata janë subjekt pagues vetëm të “taksës” vendore mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme.

Investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si subjekte me status “person fizik tregtar”, janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Ata janë gjithashtu subjekt pagues të “taksës vendore” mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme;

 

Persa i përket vlerës në shitje të pasurisë së paluajtshme, ajo përcaktohet në kontratën noteriale të shitjes, e cila është nënshkruar nga palët (shitësi dhe blerësi).

Kur pronësia e pasurisë së paluajtshme kalohet për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar llogaritet vetëm diferenca midis vlerës së shitjes së fundit dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse të kësaj pasurie. Në momentin e transaksionit të shitblerjes së një pasurie të paluajtshme aplikohen Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë së paluajtshme dhe tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i të drejtës së pronësisë së paluajtshme

Agjenti i taksës dhe i tatimit mbi të drejtën e kalimit të pronësisë është zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, e cila kalon të ardhurat e mbledhura në favor të pushtetit vendor dhe administratës tatimore brenda afateve të përcaktuara në ligj./Monitor