“Pastruesi” i parave të bandës “Çopja” mbetet pas hekurave, GJKKO rrëzon kërkesën e Klajdi Merkajt!

Akuzohet për pastrim parash për bandën “Çopja”, GJKKO lë në qeli Klajdi Merkajn

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e Klajdi Merkajt për lehtësimin e masës së sigurisë, duke vendosur që ai të qëndrojë në qeli. 35-vjeçari, i arrestuar më 16 tetor në Romë, akuzohet për pastrim parash për llogari të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, të cilët drejtonin organizatën kriminale “Çopja”.

Sipas dosjes së SPAK, Merkaj përdorte biznesin e tij të ndërtimit për të pastruar paratë e organizatës. Ai po negocionte për blerjen e dy trojeve të kushtueshme në zonën e Lundrës në Tiranë dhe kërkoi financim nga Franc Çopja për të ndërtuar një kompleks vilash. Komunikimet mes tyre, të zbuluara përmes aplikacionit Sky ECC, janë pjesë e një dosjeje voluminoze që dokumenton aktivitetin kriminal të grupit.

Në vendimin e saj, GJKKO theksoi se Merkaj do të vijojë të qëndrojë në burg, duke rrëzuar kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë. Ai ka të drejtën e ankimimit brenda 5 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.