Pastrimi i vijës bregdetare, Balluku dhe Vëngu inspektim në plazhe: Dronë e kamera për monitorimin e ndotësve

Pastrimi i vijës bregdetare në jug të vendit, kryesohet në plazhet ku aksesimi është nga deti ka qenë një nga problematikat me shtinin e numrit të turistëve dhe anijeve turistike të licencuara.

Pastrimi i plazhe ka nisur në Bashkitë e Himarës dhe Sarandës ku ekipeve u janë bashkuar edhe Forcat Detare. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu inspektuan disa prej plazheve më të frekuentuar dhe të bukura të jugut të Shqipërisë.

Balluku tha se dronët e Ministrisë së Mbrojtjes janë tashmë nën monitorim të plazheve për të parë se kush janë ndotësit e detit dhe mjedisit, ndërsa tha se do të vendosen kamera ambientale edhe në gjiret që nuk kanë akses nga toka pikërisht për të zbuluar ndotësit dhe gjobitjen e tyre.

“Rritja e anijeve turistike që qarkullojnë në brigjet e jugut janë arsyeja kryesore e ndotjes në këto plazhe, pasi janë plazhet që nuk kanë restorante dhe hoteleri. Janë plazhe të aksesueshme nga deti dhe kontrolli duhet të shtohet nga deti i këtyre anijeve turistike. Pas përfundimit të sezonit duhet të bëmë një analizë të situatës për të nxjerrë mësime. Në këto zona përveç dronëve të Ministrisë së Mbrojtjes që janë në operim mbi plazhe për të parë se ku janë ndotësit e detit dhe nga ana tjetër do kemi edhe kamera në këto zona, kamera ambientale që do të jenë gjatë gjithë kohës dhe do lidhen me qendër monitorimi në Ministrinë e Brendshme për të parë se nga vjen ndotja dhe t’i ndëshkojmë”, tha Balluku.

Ministri Vëngu tha se duhet një reformë administrimi detar pikërisht për të marra masa lidhur me trajtimin e mbajtjeve të ngurta dhe të lëngëta të anijeve para dhe pas largimit të tyre nga brigjet shqiptare.

“Një element që kemi vënë re është që duhet të marrim masa ka të bëjë se si trajtohen mbetjet e anijeve ato të ngurta dhe të lëngshme në mbërritje dhe në largim. Kjo duhet të zbatohet në portet e konsoliduar. Reforma e administrimit detar është e nevojshme për bashkëpunimin mes institucioneve”, tha ai.

Vëngu e vendosi theksin tek bashkëpunimi mes të gjitha autoriteteve për një mjedis të pastër.

“Është absolutisht e nevojshme që roja bregdetare, sidomos në sezon, të ketë një koordinim shumë të madh me Njësinë Detare të Policisë Kufitare dhe me bashkitë të cilat duhet patjetër të mobilizohen në këto zona që mund të jenë me akses të vështirë, por duhet që patjetër të kenë një kontroll të territorit dhe në këto plazhe që janë shumë të frekuentuara”, tha Vëngu.

Zëvendëskryeministrja Balluku tha se me përfundimin e sezonit do të bëhet një analizë më e plotë për të përcaktuar masat dhe hapat që do të ndërmerren në vijim.

“Ne e konsiderojmë në këto momente të një rëndësie të veçantë ndërhyrjen e ushtrisë, qoftë nga toka, me trupat që mund të ndihmojnë bashkitë, por qoftë dhe nga deti. Ndërkohë që do të duhet, nga çfarë po kuptohet, që pas përfundimit të sezonit të bëjmë një analizë të mirëfilltë të të gjithë situatës për të nxjerrë mësime nga ky numër i shtuar sepse çdo vit nga sa kuptohet ne arrijmë që të identifikojmë të tjera pika të dobëta që dalin në sipërfaqe. Sezoni i vitit të kaluar u mbyll me sukses, u trajtuan të gjitha problematikat që u vunë re gjatë atij sezoni, por këtë vit me një numër të shtuar, një numër ekspansional për Shqipërinë, të vizitorëve, sigurisht ne po zbulojmë pika të tjera të dobëta të cilat nuk kanë qenë shfaqur më parë dhe duhen trajtuar sa më shpjet, brenda këtij sezoni. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur për sezonin tjetër”, tha Balluku.