Pasaporta fallco shqiptare dhe armë! A po përdoren identitete të njerëzve të rëndësishëm nga grupet kriminale… ja çfarë gjeti policia në laboratorin e falsifikatorëve në Elbasan
Paramendoni një dhomë të shndërruar në një laborator, ku ti mund të bësh ndryshim të të dhënash dhe identiteti, sa hap e mbyll sytë, me një ngjashmëri me identitet real, pothuajse të padallueshëm.
Vetëm një kontroll i imtësishëm, pas ndonjë informacioni të mbërritur, ose “ndonjë fat i keq”, mund të dërgojë në identifikim. Falsifikimi i dokumentave, nuk është një fenomen i ri në vendin tonë.
Është zhvilluar krahas zhvillimeve teknologjike, ashtu si çdo veprimtari tjetër kriminale. Dhe në realitet, nuk është ky thelbi i problemit.
Dikur njihej “Dollari”, vendi ku në treg të zi gjeje gjithçka fallco. Sot, tregu nuk është më kaq i përqendruar. Është zhvendosur në qytete të ndryshme të Shqipërisë, enkas për t’iu shmangur syrit të autoriteteve.
Ndër vite, ja kanë dalë paq. Mijëra njerëz, shqiptarë dhe të huaj, kanë arritur që me dokumente të falsifikuara të “thyejnë kufinjtë”, të mashtrojnë, të vjedhin e të kryejnë penalitete nga më të shumtat.
Një vit më parë, Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me partnerët e huaj, shkatërruan një grup të cilët prodhonin pasaporta të falsifikuara, karta ID, karta banke, patenta e të tjera.
Grupi, kishin një laborator të mirëfilltë, që prodhonin dokumenta, të cilat ja kishin dalë të dërgonin drejt Anglisë, Irlandës dhe Kanadasë e Amerikës, qytetarë të ndryshëm, pa rënë në sytë e autoriteteve.
Por kjo goditje, nuk i stepi ata që ndër vite kanë pasur këtë lloj “pune”. Dhimitër Peqini, një emër që për shumë nuk thotë asgjë, por për Policinë e Shtetit, ai është skeduar, hetuar e arrestuar disa herë për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”.
Aktivitetin e tij e ka ushtruar në Elbasan, atje ku edhe u arrestua një ditë më parë nga blutë e këtij qyteti. Si provë materiale, ekspertët mblodhën 20 mjete identifikimi dhe një laborator ku prodhoheshin këto dokumenta.
Në pranga, së bashku me të u vunë edhe dy persona të tjerë. Së bashku, ata jo vetëm prodhonin mjete identifikimi, por tregtonin edhe armë. Madje, gjatë operacionit në Gramsh, u gjetën në automjet 3 armë, fishekë dhe granata, gati për tu dërguar në Maqedoninë e Veriut.
Pra grupi vepronte i strukturuar mirë, dukshëm me një linjë të qartë trafiku. E që në një qytet si Elbasani, referuar të shkuarës, asaj se çfarë hetimet kanë prodhuar dhe të penduarit e drejtësisë kanë folur, asgjë nuk është rastësore. Ashtu si jo më pak rastësore janë mjetet e identifikimit me të dhëna shqiptare, të falsifikuara.
Kush janë ata që kanë interes të kenë një ID fallco shqiptare? Apo një pasaportë fallco shqiptare? Me identitete herë të rreme, e në jo pak raste të gjetura, identitete egzistuese. Madje, deri edhe identitete njerëzish të rëndësishëm në sisteme të ndryshme në vendin tonë.
Vijon….