Pas urdhrit të Ramës, dorëheqje zinxhir në Belsh dhe Prrenjas – largohen kryetarët e njësive administrative

Vala e dorëheqjeve në administratën vendore ka përfshirë disa bashki të Qarkut Elbasan, pas ultimatumit të dhënë nga Kryeministri Edi Rama për rifreskimin e strukturave drejtuese në nivel vendor. Procesi është pjesë e një reforme që synon rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe përgjegjshmërisë në drejtimin lokal.

Gjatë paradites së kësaj të marte, në Bashkinë Belsh, një numër administratorësh dhe drejtorësh lokalë kanë dhënë dorëheqjen, duke i hapur rrugë një faze të re për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj mbi bazën e meritës dhe performancës.

Ndërkohë, në Bashkinë Prrenjas, tre administratorë kanë dorëzuar dorëheqjen që ditën e djeshme, ndërsa vijon procesi i vlerësimit të performancës për drejtorët që ende mbajnë detyrën.

Situatë e ngjashme është shënuar edhe në bashkitë Peqin, Cërrik dhe Gramsh, ku procesi i dorëheqjeve dhe vlerësimeve është në zhvillim. Në Librazhd dhe Elbasan, dorëheqjet masive u regjistruan që të hënën, duke shënuar një ndër ndërhyrjet më të thella në administratën vendore në vitet e fundit.

Qeveria ka paralajmëruar një qasje të re për përzgjedhjen e drejtuesve vendorë, me theks tek transparenca, aftësia profesionale dhe shërbimi ndaj qytetarit, duke theksuar se “automatikës së zyrave” do t’i jepet fund.

Megjithatë, në disa bashki të Qarkut Elbasan ende ka drejtorë që nuk kanë dorëzuar dorëheqjet.