Pas tarifave të Trump, Kina kërcënon: Do mbushim tregun me mallra luksoze si Gucci e Louis Vuitton me çmime të lira
Një luftë e re tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po trondit themelet e industrisë globale të luksit. Pas vendosjes së tarifave të reja prej 145% nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj importeve kineze, Pekini ka kërcënuar se do të përgjigjet duke goditur në një pikë të ndjeshme: mallrat luksoze.
Kina, që mban në duart e saj rreth 80% të prodhimit botëror të produkteve luksoze – nga Gucci, Hermes, Louis Vuitton e deri te Ralph Lauren dhe Jimmy Choo – po shqyrton zyrtarisht mundësinë për të legalizuar prodhimin dhe shitjen e versioneve të falsifikuara të këtyre markave. Mes kompanive të rrezikuara janë edhe gjigantët e bukurisë si Estée Lauder dhe marka e saj elitare “La Mer”.
Sipas raporteve franceze dhe burimeve zyrtare, autoritetet kineze kanë bërë të qartë se çdo kompani që vendos të zhvendosë prodhimin jashtë Kinës për të shmangur tarifat, do të përballet me pasoja të ashpra.
Produktet e tyre – të prodhuara në të njëjtat fabrika dhe me të njëjtat materiale – mund të hidhen në treg pa logon zyrtare, por me të njëjtin dizajn dhe cilësi.
Përmes TikTok-ut dhe platformave të tjera sociale, prodhuesit kinezë kanë nisur të publikojnë video ku zbulojnë kostot reale të prodhimit të çantave luksoze apo atleteve sportive, duke hedhur dritë mbi marzhet marramendëse të fitimit të markave perëndimore. Një çantë Birkin, për shembull, prodhohet me kosto rreth 1,400 dollarë, por shitet deri në 2 milionë dollarë në tregjet elitare. Një palë atlete Nike kushton rreth 10 dollarë për t’u prodhuar, por arrin çmime mbi 150 dollarë në SHBA.
Më 4 prill, kryeministri kinez Li Qiang paraqiti një paketë masash të reja përballë tarifave amerikane. Një nga propozimet më kontroverse ishte pikërisht ndalimi i zbatimit të rreptë të ligjeve për mbrojtjen e pronësisë intelektuale – një kthesë dramatike pas më shumë se pesë vitesh përpjekjesh për të luftuar tregtinë e produkteve “fake”.
Ky ndryshim ka alarmuar markat amerikane të luksit, të cilat tashmë e dinë se jo vetëm që mund të humbasin tregun kinez, por edhe të shohin versionet e falsifikuara të produkteve të tyre që vërshojnë në tregje të tjera globale.
Modeli që po ndjek Kina është i ngjashëm me atë të Rusisë, e cila pas sanksioneve ndërkombëtare për pushtimin e Ukrainës, legalizoi importet paralele dhe lehtësoi hyrjen e mallrave të falsifikuara në tregun e saj. E njëjta qasje e mundshme nga Kina mund të shkaktojë një “cunam” të produkteve luksoze false në mbarë botën.
Për markat si Ralph Lauren, Tom Ford, Calvin Klein, Coach, Jimmy Choo dhe dhjetëra të tjera, alarmi ka rënë. Industria e luksit rrezikon jo vetëm nga rritja e kostove për shkak të tarifave, por edhe nga humbja e ekskluzivitetit dhe e kontrollit mbi imazhin e tyre.