Pas sulmeve të Izraelit në Iran, zbulohet ku fshihet udhëheqësi suprem Ali Khamenei bashkë me familjen!
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, është strehuar në një bunker të nëndheshëm të blinduar në zonën Lavizan, në veri-lindje të Teheranit, vetëm disa orë pas nisjes së sulmeve ajrore të Izraelit mbi kryeqytetin iranian. Lajmi është raportuar nga media “Iran International”, duke cituar dy burime të besueshme brenda territorit iranian.
Sipas këtyre burimeve, në bunker me Khamenein ndodhen të gjithë anëtarët e familjes së tij, përfshirë edhe djalin e tij, Mojtaba Khamenei. Bunkeri i nëndheshëm është i njëjti ku familja Khamenei ishte strehuar edhe gjatë operacioneve ushtarake të Iranit kundër Izraelit në vitin 2024, të koduara si “Premtimi i Vërtetë 1” dhe “Premtimi i Vërtetë 2”.
Sulmet e fundit ajrore nga Izraeli kanë përshkallëzuar më tej krizën, ndërsa për herë të parë, të dielën, avionët izraelitë kanë goditur objektiva edhe në qytetin Mashhad të Iranit, i cili ndodhet mbi 2.300 kilometra larg nga Izraeli. Sipas një burimi diplomatik nga Lindja e Mesme, ky sulm ka qenë një sinjal i qartë për udhëheqësin suprem iranian se nuk është më i sigurt askund brenda territorit të Iranit.
I njëjti burim bëri të ditur se Izraeli ka patur mundësinë të eliminojë Khamenein që në natën e parë të ofensivës, por ka zgjedhur të mos e bëjë këtë, duke i dhënë atij një “mundësi të fundit” për të tërhequr vendin dhe për të shpallur çmontimin e plotë të programit bërthamor iranian.
Raportimet bëjnë gjithashtu me dije se ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i kishte dhënë Khameneit një afat prej dy muajsh për të ndalur programin e pasurimit të uraniumit, paralajmërim ky që, sipas burimeve, është injoruar nga udhëheqësi iranian.
Izraeli, Irani, Ali Khamenei, bunker, Lavizan, sulme ajrore, program bërthamor, Donald Trump, tensione Lindja e Mesme, Mashhad.