Pas SHBA, edhe Zvicra ndërpret ndihmat për Shqipërinë

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Zvicra ka vendosur të ndërpresë programet e ndihmave për Shqipërinë, si pjesë e një rishikimi të shpenzimeve të saj për ndihmën ndërkombëtare.

Ministria e Jashtme e Zvicrës ka konfirmuar se qeveria zvicerane ka marrë vendimin për të ndërprerë programet e zhvillimit në tre vende: Shqipëri, Bangladesh dhe Zambi. Ky vendim vjen pasi parlamenti zviceran miratoi shkurtimin e fondeve për ndihmën e huaj.

Sipas agjencisë Swiss Info, parlamenti ka reduktuar 110 milionë franga zvicerane nga buxheti i bashkëpunimit ndërkombëtar për vitin 2025 dhe 321 milionë franga zvicerane nga plani financiar për vitet 2026-2028.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Shqipëria ka përfituar prej vitesh mbështetje financiare nga Zvicra për projekte të ndryshme në fushën e zhvillimit ekonomik, infrastrukturës dhe reformave institucionale. Ndërprerja e këtyre fondeve pritet të ndikojë në ecurinë e disa programeve që ishin në zbatim.