Pas përplasjes me Trump, Europa dhe Rusia i hapin dyert Elon Musk për azil politik

Kriza në marrëdhëniet mes Elon Musk dhe presidentit amerikan Donald Trump po merr përmasa ndërkombëtare. Pas deklaratave të ashpra të Musk ndaj administratës Trump dhe kritikave të liderit amerikan ndaj miliarderit të njohur, Rusia dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur gatishmërinë për ta pritur atë nëse situata përshkallëzohet më tej.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Paula Pinho, në një deklaratë të fundit u shpreh se Elon Musk është “shumë i mirëpritur në Evropë”, duke vënë në pah mbështetjen që BE i jep inovatorëve dhe sipërmarrësve që kontribuojnë në zhvillimin teknologjik dhe ekonomik të kontinentit. Kjo deklaratë shihet si një sinjal politik në mbështetje të Musk, në një kohë kur raportet e tij me administratën amerikane janë në pikën më të ulët.

Ndërkohë, edhe Duma e Shtetit në Rusi ka bërë një lëvizje të papritur, duke thënë se do t’i ofronte Musk azil politik nëse ai ndonjëherë do të kërkonte strehim. Kjo deklaratë vjen në një kontekst kur Rusia po përpiqet të tërheqë figura të mëdha perëndimore për të sfiduar izolimin ndërkombëtar.

Përplasja midis Musk dhe Trump ka nisur pas deklaratës së Musk se SHBA-të do të shkojnë drejt falimentimit për shkak të ligjit të ri financiar të miratuar nga administrata Trump, që sipas tij do të rrisë ndjeshëm borxhin publik. Komentet kanë shkaktuar një reagim të fortë nga Trump, i cili e quajti “shumë të zhgënjyer” nga kritikat e një njeriu që dikur ishte ndihmësi dhe donatori kryesor i fushatës së tij.

Presidenti Trump, i njohur për reagimet e tij të drejtpërdrejta, kritikoi publikisht vendimet e Musk në biznes, duke i quajtur “të papërgjegjshme” dhe “kundër interesave amerikane”. Kjo shënoi një pikë kthese në marrëdhënien dikur të afërt mes dy figurave të fuqishme të Amerikës.