Pas një muaji sakrifice dhe devotshmërie, besimtarët myslimanë në mbarë vendin festojnë sot Fitër Bajramin!
Besimtarët myslimanë në mbarë vendin festojnë Fitër Bajramin
Pas një muaji sakrifice dhe devotshmërie, besimtarët myslimanë në të gjithë vendin festojnë sot Fitër Bajramin. Qindra dhe mijëra besimtarë janë mbledhur në xhamitë dhe sheshet kryesore të qyteteve për të kryer faljen e namazit dhe për të përcjellë mesazhe paqeje, dashurie dhe harmonie.
Kukës – Edhe pse mëngjesi u karakterizua nga reshjet e shiut, besimtarët myslimanë falën namazin në xhaminë kryesore të qytetit. Pas faljes, ata përcollën urimet për këtë ditë të shënuar dhe kërkuan zgjerimin e xhamisë. Myftiu Emirjon Vathaj e cilësoi këtë si një nga ditët më të bukura të kalendarit islam.
Elbasan – Mijëra besimtarë falën Fitër Bajramin, ndërsa myftiu Agim Duka bëri thirrje për ndershmërinë e votës, duke theksuar se “vota është amanet” dhe zgjedhjet duhet të jenë të pastra nga çdo ndikim.
Bulqizë – Qindra besimtarë kryen faljen e namazit në xhaminë e qytetit, ku myftiu Sejdin Strazimiri tha se kjo është një ditë shpërblimi për të gjithë ata që kanë mbajtur agjërimin, duke i ftuar besimtarët të përhapin mirësi gjatë gjithë vitit dhe të lënë pas çdo mëri apo konflikt.
Lushnjë – Falja e namazit u zhvillua në sheshin kryesor të qytetit, ku myftiu Gramoz Blliku uroi besimtarët dhe bëri thirrje për më shumë harmoni dhe dashuri mes njerëzve.
Durrës – Mijëra besimtarë falën Fitër Bajramin në xhaminë e madhe të qytetit dhe në sheshin para saj. Imam Ervin Qylafku përcolli mesazhe besimi dhe solidariteti, duke uruar që Allahu të ketë pranuar sakrificën e besimtarëve gjatë muajit të Ramazanit.
Shkodër – Myftiu Muhamed Sytari i drejtoi mesazhin e tij të rinjve, duke i ftuar ata në pendesë të sinqertë dhe përmirësim të vetes. Ai theksoi se mëshira e Zotit është më e madhe se çdo gabim dhe kërkoi distancim nga e keqja. Një mesazh i veçantë iu kushtua edhe Gazës, ku myftiu tha se “zullumi nuk e ka jetën e gjatë, pasi Zoti sheh gjithçka”.
Vlorë – Për shkak të restaurimit të Xhamisë së Plumbit, falja e namazit u mbajt në Pallatin e Sportit, ku morën pjesë qindra besimtarë. Myftiu Ardit Hoxhlleku përcolli mesazhe paqeje dhe harmonie, duke falënderuar komunitetin për përkushtimin e tyre gjatë Ramazanit. Festa u mbyll me një koncert për fëmijët, duke sjellë gëzim dhe shpresë për ditë më të mira.
Korçë – Falja e namazit u zhvillua në xhaminë Iljaz Bej Mirahori, ku besimtarët përcollën urime për paqe dhe dashuri. Pas faljes, Fitër Bajrami festohet në familje dhe ambiente të përbashkëta, duke ruajtur traditat e kësaj dite të shenjtë.
Fitër Bajrami nuk është vetëm një ditë feste, por edhe një kujtesë për vlerat e mirësisë, paqes dhe unitetit. Besimtarët vijojnë sot traditën e vizitave dhe urimeve të ndërsjella, duke e kthyer këtë festë në një moment bashkimi dhe reflektimi shpirtëror.