Pas ndërprerjes së ndihmave ushtarake, SHBA goditje tjetër Ukrainës! Ndalon ndarjen e informacioneve sekrete me Kievin
SHBA ka marrë një tjetër vendim drastik kundër Ukrainës, duke ndaluar ndarjen e informacioneve sekrete me Kievin, një lëvizje që mund të ndikojë rëndë në aftësinë e ushtrisë ukrainase për të shënjestruar forcat ruse.
Sipas Financial Times, ky vendim vjen pas pezullimit të ndihmës ushtarake amerikane, të shpallur nga administrata Trump të hënën, dhe pas përkeqësimit të marrëdhënieve midis presidentit amerikan dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky.
Tre zyrtarë të njohur me situatën kanë konfirmuar se kanalet e inteligjencës midis Uashingtonit dhe Kievit janë ngrirë, duke e lënë Ukrainën pa akses në të dhënat e rëndësishme të shërbimeve sekrete amerikane. Kjo lëvizje pritet të dëmtojë seriozisht operacionet ushtarake të Ukrainës, pasi informacionet e SHBA-së kanë qenë kyçe në identifikimin dhe goditjen e objektivave strategjike ruse.