Pas konfliktit në familje, plagosi babain me armë, arrestohet 23-vjeçari në Fier
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Fier ku pas një konflikti në familje një djalë 23-vjeç ka qëlluar të atin me armë të modifikuar si armë sportive.
Sipas njoftimit të policisë ngjarja është shënuar gjatë mesnatës në banesën e tyre në fshatin Mbrostar Ura.
Shtetasi J.Z., 23 vjeç ka rënë në pranga pasi plagosi në këmbë Nexhmedin Zykën (babain).
Fatmirësisht 58-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë arma e modifikuar u sekuestrua si provë materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, rreth mesnatës, sapo janë njoftuar se një shtetas kishte plagosur babanë e tij, në banesën e tyre, në fshatin Mbrostar Ura, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap dhe u vu në pranga, shtetasi J. Z., 23 vjeç. Ai dyshohet se pas një konflikti me babanë e tij, shtetasin N. Z., 58 vjeç, e ka plagosur atë, në këmbë, me një armë të modifikuar si armë sportive. 58-vjeçari është aktualisht në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën“, informoi sot policia.