Pas arrestimit të Veliajt, Rama mbledh punonjësit e bashkisë në sheshin “Skënderbej”

Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) më 10 shkurt 2025, kryeministri Edi Rama ka planifikuar një mbledhje me punonjësit e Bashkisë së Tiranës sot, më 20 shkurt 2025, në orën 16:30, në sheshin “Skënderbej”.

Për këtë ngjarje, janë vërejtur përgatitje në shesh, duke përfshirë vendosjen e podiumit, karrigeve dhe rrethimin me gardh metalik.

Erion Veliaj akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për të njëjtat vepra penale, si dhe për “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Pesë biznesmenë të tjerë janë vendosur nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Pas arrestimit të Veliajt, kryeministri Rama ka vendosur të mos e shkarkojë atë nga detyra, por t’i delegojë firmën nënkryetares Anuela Ristani.