Pas Alimehmetit dhe Hoxhës, një tjetër kandidate e PD-së kërkon rinumërimin e votave në Tiranë

Pas Ilir Alimehmetit dhe Lisandër Hoxhës, një tjetër kandidate e Partisë Demokratike ka vënë në dyshim integritetin e procesit zgjedhor të 11 majit dhe ka dorëzuar një kërkesë zyrtare për rinumërim të votave në qarkun e Tiranës.

Mimoza Hajdarmataj ka paraqitur një ankesë pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), duke pretenduar se ka identifikuar parregullsi të konsiderueshme në të paktën gjashtë KZAZ, të cilat sipas saj përfshijnë një diferencë prej mbi 1000 votash që mund të kenë ndikuar në renditjen përfundimtare të kandidatëve në listën e PD.

Në kërkesën drejtuar KAS-it, Hajdarmataj thekson:

“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 1326, datë 24.05.2025, ka miratuar tabelat përmbledhëse për rezultatin e votimit në Qarkun Tiranë. Në këtë tabelë rezulton se unë, Mimoza Hajdarmataj, kam marrë 5233 vota si kandidate e listës së hapur. Gjatë procesit të verifikimit nga ana ime, kam vërejtur disa parregullsi të cilat mund të ndikojnë në mënyrë të ndjeshme rezultatin për sa i përket renditjes sime në tabelën e kandidatëve.”

Sipas saj, këto parregullsi nuk janë të izoluara vetëm në qendrat e përmendura, por tregojnë për një problematikë të përgjithshme në procesin e numërimit në të gjithë qarkun.

Bazuar në këto pretendime dhe në dispozitat e Kodit Zgjedhor, Hajdarmataj kërkon nga KAS:

-Rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit në Qarkun Tiranë;

-Ndryshimin e tabelës përmbledhëse sipas rezultatit të rinumërimit dhe/ose rivlerësimit.