Pas 7 muajsh në kërkim, arrestohet 49-vjeçari për vjedhjen e 30 mijë eurove dhe sendeve me vlerë në Tiranë

Pas një kërkimi intensiv që zgjati shtatë muaj, Policia e Tiranës arrestoi shtetasin A. Ç., 49 vjeç, i cili dyshohet për vjedhjen e 30 mijë eurove dhe sendeve me vlerë të konsiderueshme në një banesë në nëntor 2024.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes Komisariateve Nr. 1 dhe Nr. 6, duke mundësuar lokalizimin dhe kapjen e 49-vjeçarit, i cili prej kohësh ishte në kërkim nga autoritetet.

Sipas hetimeve, A. Ç. dyshohet se ka kryer vjedhjen në bashkëpunim me shtetasin Xh. C., i arrestuar më parë, dhe një person tjetër që vijon të jetë në kërkim nga policia.

Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja” me pasoja të rënda, ndërsa autoritetet vijojnë punën për kapjen e personit të tretë të përfshirë në këtë ngjarje.