Pas 6 vitesh mister dhe pritje, nis gjyqi për vrasjen e shqiptarit në Brazil! Akuzohen italiani dhe e dashura e tij
Pas gjashtë vitesh nga vrasja misterioze e turistit shqiptar Alban Gropçaj në Brazil, drejtësia më në fund po lëviz. Më 5 maj 2025, në Gjykatën e shtetit Ceará do të zhvillohet seanca e parë paraprake për çështjen penale që ka tërhequr vëmendjen e mediave në Itali, Shqipëri dhe Brazil.
Alban Gropçaj, 28 vjeç, ishte punonjës në një kompani italiane që prodhonte lavatriçe dhe tharëse, pronë e biznesmenit italian Guido Bertola. Në vitin 2019, me kërkesë të punëdhënësit të tij, ai udhëtoi drejt qytetit Caucaia – një nga më të dhunshmit në Brazil – për arsye pune. Vetëm katër ditë pas mbërritjes, ai u vra me një plumb në kokë në rrethana që qëndrojnë larg një grabitjeje të zakonshme.

GUIDO BERTOLA DHE ALBAN GROPÇAJ
Sipas versionit fillestar të italianit Bertola, ai, bashkë me të dashurën e tij braziliane Silvia Helena de Sousa Rosa dhe Gropçajn, po ktheheshin në banesë kur u ndaluan nga dy persona me motor. Ata e nxorën shqiptarin nga makina dhe e qëlluan për vdekje. Por versioni i tij ka ngjallur dyshime të forta, jo vetëm për faktin se autorët nuk i morën viktimës as telefonin dhe as paratë, por edhe për kontekstin dhe lidhjet mes personazheve.

ALBAN GROPÇAJ
Dyshimet ndaj italianit dhe të dashurës së tij
Hetimet kanë zbuluar se marrëdhënia mes Bertolës dhe të dashurës së tij braziliane ishte burim tensionesh, dhe se Gropçaj nuk i miratonte zgjedhjet e pronarit të tij. Madje, Prokuroria Publike e Brazilit thotë se Albani e kishte paralajmëruar Bertolën që të qëndronte larg Silvias, të cilën ai e konsideronte si një person të rrezikshëm dhe manipulator.
Familjarët e viktimës, të tronditur nga zvarritja e drejtësisë, janë të bindur se Bertola dhe Silvia janë porositësit e krimit. Avokati i familjes, Carlos Rebouças, ka deklaruar se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se vrasja ishte e porositur. Një tjetër element që rëndon mbi Silvian është fakti që ajo u kishte thënë disa personave të njohur se atë ditë “do të ndodhte një tragjedi”. Një dëshmitar tjetër pohoi se ajo kishte thënë më parë për shqiptarin: “Ky duhej të kishte vdekur!”
Romário Lopes de Lima, i dyshuari që nuk mund të dëshmojë më
Një nga personat kyç të kësaj çështjeje është Romário Lopes de Lima, nipi i Silvias, i cili dyshohet të ketë qenë një nga ekzekutuesit. Ai kishte shkuar në shtëpinë e çiftit një muaj para krimit dhe ishte i njohur për përfshirje në trafik droge dhe vrasje. Sipas një dëshmie, vëllai i Silvias i kishte dhënë një zarf me para disa ditë para vrasjes së Gropçajt – një indikacion që lidhet me pagesën për atentatin. Por Romário nuk mund të dëshmojë më: më 24 maj 2021, ai u vra në rrethana të paqarta, duke i shtuar edhe më shumë mister çështjes.
Gjyqi përmes videokonference, drejtësia e vonuar kërkon të rikthejë shpresën
Guido Bertola dhe Silvia Rosa prej vitesh jetojnë të lirë në Itali dhe do të marrin pjesë në gjyq përmes videokonference, pas vendimit të Gjykatës për ta lejuar për shkak të distancës gjeografike. Ndërkohë që mbrojtja e të pandehurve mohon çdo përfshirje në krim dhe shpreson të provojë pafajësinë e tyre, familja e shqiptarit kërkon vetëm një gjë: drejtësi.
“Ka kaluar shumë kohë. Ata janë të lirë, ndërsa djali ynë është në varr. Kjo është padrejtësia më e madhe,” – është shprehur familja e viktimës.
Gjyqi që do të nisë më 5 maj shihet si një hap vendimtar për zbardhjen e plotë të një krimi që nga një vrasje e thjeshtë e paraqitur si grabitje, është kthyer në një ngjarje ndërkombëtare me intriga, tradhti dhe mister.