Pas 20 vitesh në koma, ndërron jetë “Princi i Fjetur” i Arabisë Saudite

Princi saudit Alwaleed bin Khaled bin Talal vdiq të shtunën, dy dekada pasi ra në koma pas një aksidenti të rëndë me makinë në Londër në vitin 2005. Ai ishte 36 vjeç.

Këshilli Global i Imamëve tha në një deklaratë: “Këshilli Global i Imamëve i shpreh ngushëllimet e tij të sinqerta dhe keqardhjen e përzemërt… Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës Mohammed bin Salman dhe Familjes Mbretërore të nderuar, për ndarjen nga jeta të Princit Alwaleed bin Khaled bin Talal Al Saud, i cili ndërroi jetë pas një beteje të gjatë që zgjati gati njëzet vjet pas një aksidenti tragjik.”

Me zemra plot besim në caktimin dhe fatin e Allahut, dhe me trishtim dhe pikëllim të thellë, ne vajtojmë djalin tonë të dashur Princin Al-Waleed bin Khaled bin Talal bin Abdulaziz Al Saud, Allahu e mëshiroftë, i cili ndërroi jetë në mëshirën e Allahut sot”, tha babai i tij, Princi Khaled bin Talal në një deklaratë.

Princi Alwaleed ishte 15 vjeç kur ndodhi aksidenti ndërsa ai po studionte në një kolegj ushtarak në Mbretërinë e Bashkuar. Përplasja shkaktoi lëndime të rënda në tru dhe gjakderdhje të brendshme, duke e lënë atë në një komë të plotë. Ai u transferua më vonë në Qytetin Mjekësor King Abdulaziz në Riad, ku qëndroi në mbështetje të jetës nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor për gati 20 vjet.

Gjatë viteve, Princi Alwaleed u bë i njohur si ‘Princi i Fjetur’. Pamjet e herëpashershme që tregonin lëvizje minimale, siç ishte ngritja e gishtërinjve, u dhanë momente të shkurtra shprese atyre që po ndiqnin gjendjen e tij. Pavarësisht trajtimit nga specialistët amerikanë dhe spanjollë, ai nuk e rifitoi kurrë vetëdijen e plotë.

Babai i tij, Princi Khaled bin Talal, mbeti plotësisht i përkushtuar për të shpëtuar jetën e të birit, duke refuzuar vazhdimisht të hiqte mbështetësen e jetës. Ai tha se vetëm Zoti përcakton momentin e vdekjes.

I lindur në prill të vitit 1990, Princi Alwaleed ishte djali më i madh i Princit Khaled bin Talal Al Saud dhe nip i biznesmenit miliarder Princit Alwaleed bin Talal.

Lutjet e varrimit do të mbahen të dielën, më 20 korrik, pas namazit të Ikindisë në Xhaminë Imam Turki bin Abdullah në Riad.