Pas 15 vite negociata, Shqipëri – Itali njohin vitet e punës për pensionin! Dy ministrat e Jashtëm firmosin marrëveshjen! Përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë

ITALI–  Pas 15 vitesh negociata Italia dhe Shqipëria firmosin Marrëveshjen për sigurimet shoqërore, nga e cila do të përfitojnë pensionet shqiptarët që punojnë në Itali por dhe shtetasit italianë që punojnë në Shqipëri.

 

 

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani dhe homologu italian Antonio Tajani firmosën sot (6 shkurt 2024) marrëveshjen

“Një marrëveshje e rëndësishme. Kishte 15 vite 12 prisnim këtë firmë të cilën e formalizuam sot dhe garanton të drejtat e punonjësve italianë dhe punëtorëve shqiptarë në Itali” tha Tajani.

Ministri i Jashtëm Igli Hasani do të përmbyllë vizitën në Itali ditën e sotme, 6 shkurt. Hasani është pritur nga homologu Antonio Tajani, dhe më pas firmosin marrëveshjen reciproke të kontributit për sigurimet shoqërore. Nga kjo marrëveshje do të përfirojnë rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali, si edhe italianët në vendin tonë.

Në orën 14:30 Hasani do të zhvillojë një takim me Presidentin e Komisionit të Çështjeve Evropiane, Alessandro Giglio Vigna.

Kur dhe si hyn në fuqi marëveshja?

Pas nënshkrimit, Marrëveshja do të ratifikohet nga të dyja shtetet kontraktuese, në përputhje me procedurat e tyre përkatëse dhe instrumentet e ratifikimit do të shkëmbehen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në ditën e parë të muajit të dytë pas shkëmbimit të dokumenteve të ratifikimit, Marrëveshja do të hyjë në fuqi njëkohësisht me Marrëveshjen Administrative për legjislacionin zbatues të kësaj Marrëveshjeje, që do të bëhet e vlefshme në të njëjtën kohë kur do të hyjë në fuqi kjo Marrëveshje.

Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje me 15 vende për njohjen e pensioneve, me vende si Gjermania, Turqia, Austria, Belgjika etj. Ndërkohë 17 marrëveshje janë në proces negocimi dhe 3 të tjera në proces vlerësimi.

Marrëveshja do të zbatohet për legjislacionet që lidhen me:

Sigurimin për pleqërinë, invaliditetin, pensionin familjar (pasjetuesit);

Sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen;

Sigurimin e papunësisë.