Partizani ngec ndaj Egnatias, Tirana “mbret” barazimesh në Superiore

Partizani nuk thyhet as nga Egnatia.

Të kuqtë ngecën në barazim 1-1 përballë kampionëve në fuqi të Shqipërisë, duke qëndruar në +2 pikë nga Dinamo ndjekëse. Një ndeshje tepër e luftuar dhe me momente tensioni në “Arenën e demave”, me skuadrën e Veselinovic që arriti të marr pikën që e mban akoma në krye të Superligës shqiptare. Mba shënoi golin e epërsisë momentale për kryeqytetasit, të cilët nën drejtimin e teknikut serb nuk kanë provuar ende shijen e humbjes.

Një gol që u duk se i dha krah Partizanit, teksa rriti ashpërsinë e ndërhyrjeve në fushën e lojës. Veselinovic u ndëshkua me karton të kuq pas protestave ndaj vendimeve të gjyqtarëve, teksa në limitet e kohës së rregullt, Bakayoko shënoi golin e  barazimit. Aksion që mori kohë, duke u akorduar si gol vetëm nga sistemi VAR, ndërsa për futbollistin u akordua edhe kartoni i kuq për protesta. Pas kësaj pike, Partizani numëron 29 të tilla në krye të renditjes, ndërsa rrogozhinasit kanë dy më pak se ta, në kuotë të njëjtë me Dinamon e vendit të dytë.

Raste dhe vetëm një barazim pa gola mes Skënderbeut dhe Tiranës. Në ndeshjen ku në stolin e korçarëve debutoi Ernest Gjoka nuk kishte gola, me dy ekipet që kënaqen me një pikë që nuk vlen shumë për vazhdimësinë dhe objektivat e fundit të sezonit. Skënderbeu qëndron e parafundit me 14 pikë, ndërsa Tirana konfirmohet mbreti i barazimeve, me 11 të tillë në 16 javë kampionat.