Partizani konfirmon ‘martesën’ me tjetër trajner të huaj, firmos për 1 sezon

Dashuria e Partizanit me trajnerët e huaj vijon edhe në sezonin e ri.

Të kuqtë kanë zyrtarizuar marrëveshjen me trajnerin kroat, Zoran Zekiç. 49-vjeçari mbërrin në Shqipëri për herë të parë, teksa ka hedhur firmën në kontratën një-vjeçare me kampionët e vendit.

Në postimin e shpërndarë nga klubi kryeqytetas, shihet Zekiç i cili prezantohet për mediat nga presidenti Gazment Demi dhe drejtori sportive, Arbër Abilaliaj. Në sezonin e fundit Zekiç ishte pjesë e ekipit Slaven Belupo, ndërsa përgjatë karrierës si trajner ai regjistron edhe eksperienca në drejtimin e Sheriff Tiraspol, Osijek, dhe Maksimir.

Zekiç mbërrin te Partizani për të pasuar në këtë post Giovanni Colellën. Italiani u largua pas fitimit të titullit kampion me të kuqtë, ku arriti që t’i rikthente tek suksesi pas dy sezonesh. Më 20 qershor, Partizani do të njihet edhe me kundërshtarin e parë të raundeve kualifikuese të Ligës së Kampionëve.