Partitë politike firmosin Kodin e Etikës! Ndalohet bullizmi kibernetik dhe përmbajtjet e rreme me AI
Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, partitë politike në Shqipëri kanë nënshkruar sot (25 mars) Kodin e Etikës, një angazhim vullnetar për të garantuar integritetin dhe transparencën e procesit zgjedhor.
Ky kod synon të mbrojë zgjedhjet nga manipulimet dhe përdorimi i teknologjisë në mënyrë të pandershme. Partitë angazhohen të mos shpërndajnë përmbajtje të rreme të krijuara nga inteligjenca artificiale, të mos përdorin bot-e apo llogari të rreme për të ndikuar opinionin publik dhe të ndalojnë bullizmin kibernetik gjatë fushatës.
Gjithashtu, Kodi kërkon që çdo përmbajtje e gjeneruar nga AI të etiketohet qartë dhe të përfshijë shenja dalluese për të garantuar transparencën. Në rast se një parti publikon përmbajtje që shkel këtë kod, ajo duhet ta fshijë menjëherë.
Kodi i Etikës është ndërtuar mbi bazën e legjislacionit shqiptar dhe normave ndërkombëtare, duke përfshirë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjet për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë një rol kyç në monitorimin e zbatimit të tij.
Kodi i Etikës, zgjedhje 2025, partitë politike, bullizëm kibernetik, inteligjenca artificiale, transparencë, siguri zgjedhore