Partitë e mëdha vijojnë të humbin vota në Tiranë, tension në rinumërim! Dogjani përplaset me Rusmajlin

Procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës vijon mes tensioneve dhe humbjeve të votave për partitë kryesore politike. Pas pesë ditësh nga nisja e këtij procesi në pallatin e sportit “Farie Hoti”, janë numëruar 462 kuti votimi, ndërsa mbetet ende rreth 60% e kutive për t’u rinumëruar.

Sipas të dhënave të fundit, të dy partitë e mëdha kanë humbur vota krahasuar me numërimin fillestar. Koalicioni PD-ASHM ka humbur 221 vota, ndërsa Partia Socialiste ka humbur 194 vota. Ndërkohë, Koalicioni Euroatlantik ka humbur 10 vota dhe Djathtas për Zhvillim 7 vota.

Situata ka njohur edhe përplasje verbale. Kandidati i PD-së, Asllan Dogjani, është përplasur me anëtarin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), Ilir Rusmajli, lidhur me një fletë votimi që u shpall e pavlefshme. Dogjani ka këmbëngulur se fleta i përkiste atij dhe ishte shpallur gabimisht e pavlefshme, ndërsa përfaqësuesit e KAS-it argumentuan se fleta nuk ishte vendosur brenda kutisë së votimit sipas rregullave.