Parlamenti i Irakut miraton ligjin për martesat e fëmijëve që nga mosha 9-vjeçare

Parlamenti i Irakut ka miratuar një ligj të ri që lejon martesat e fëmijëve që nga mosha 9-vjeçare, duke shpërthyer reagime të forta nga aktivistët dhe grupet për të drejtat e grave.

Ky ligj i ri jep autoriteteve fetare pushtet të plotë mbi çështjet familjare, përfshirë martesat, divorcet dhe kujdesin për fëmijët, duke shfuqizuar një ndalim të mëparshëm për martesat e personave nën 18 vjeç, të cilat ishin në fuqi që nga vitet 1950.

Avokati i njohur Mohammed Juma ka shprehur shqetësimin e tij, duke thënë se ky ligj shënon fundin e të drejtave të fëmijëve në Irak. Po ashtu, gazetarja irakiane Saja Hashim e ka cilësuar situatën si “të frikshme”, duke theksuar rrezikun që ky ligj paraqet për gratë dhe vajzat në vend.

Aktivistët paralajmërojnë se ky ligj mund të ndikojë negativisht edhe në të drejtat e kujdestarisë dhe mbështetjes financiare për fëmijët në rastet e mëparshme në gjykatë. Sipas një raporti të OKB-së, 28% e vajzave në Irak janë martuar para moshës 18 vjeç.

Ligji përcakton moshën minimale për martesë në bazë të grupeve fetare: për muslimanët shiitë, ajo është 9 vjeç, ndërsa për sunitët 15 vjeç. Deputetja Alia Nassif ka njoftuar se opozita do të sfidojë këtë ligj në gjykatën federale, ndërsa deputeti Sajjad Salem e ka quajtur miratimin e tij një “rënim të reputacionit dhe dinjitetit të Irakut”.

Ky vendim i parlamentit ka ngjallur debate të forta dhe pritet të ketë pasoja të mëdha për të drejtat e fëmijëve dhe gratë irakiane.