Parkime të gabuara në Vlorë, policia vendos 200 gjoba dhe largon mbi 25 automjete me karrotrec
Policia e Vlorës ka intensifikuar ndjeshëm kontrollet në rrugët urbane të qytetit, si pasojë e shtimit të fluksit të automjeteve dhe pushuesve gjatë ditëve të para të muajit korrik. Gjatë tre ditëve të para të këtij muaji, janë vendosur rreth 200 masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve për parkim të gabuar, ndërsa mbi 25 automjete janë tërhequr me karrotrec, pasi pengonin qarkullimin e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve.
Shkeljet janë evidentuar kryesisht në rrugëkalimet e këmbësorëve dhe në akset rrugore ku parkimi pengonte qarkullimin normal të automjeteve të tjera. Sipas njoftimit të DVP Vlorë, shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Rendit nga Komisariati i Vlorës janë angazhuar maksimalisht për të siguruar një mjedis të qarkullueshëm dhe të sigurt për qytetarët dhe turistët.
“Për të siguruar qarkullimin normal dhe të sigurt, janë larguar me karrotrec më shumë se 25 automjete, të cilat janë konstatuar si pengesë në rrugëkalimet e automjeteve dhe këmbësorëve,” thuhet në njoftimin zyrtar.