Parisi në flakë pas fitores historike të PSG-së në Ligën e Kampionëve, 300 tifozë të arrestuar

Qindra persona janë arrestuar në Paris pas përleshjeve të dhunshme me forcat e policisë, pasi tifozët e Paris Saint-Germain shpërthyen në festime pas fitores së parë historike të klubit në Ligën e Kampionëve të UEFA-s.

Sipas autoriteteve franceze, rreth 300 persona janë vënë në pranga në zonat përreth bulevardit Champs-Elysées dhe stadiumit Parc des Princes, ku ishin mbledhur afro 50,000 tifozë për të ndjekur finalen në ekrane gjigante. PSG triumfoi me një rezultat mbresëlënës 5-0 ndaj Interit të Milanos, në një ndeshje të zhvilluar në Mynih.

Atmosfera festive, fillimisht paqësore, shpejt u shndërrua në kaos. Fishekzjarrë dhe flakadanë u ndezën pa kontroll, u shkatërruan stacione autobusi, dhe disa automjete u dogjën në rrugë, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të rendit për të rikthyer qetësinë. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e dhunshme.

Megjithatë, një pjesë e madhe e tifozëve zgjodhën të festonin në mënyrë paqësore, duke kënduar, kërcyer dhe valëvitur flamuj në rrugët e kryeqytetit. Kulla Eiffel u ndriçua me ngjyrat blu dhe të kuqe të PSG-së, duke simbolizuar krenarinë e qytetit për këtë arritje historike.

Presidenti francez Emmanuel Macron, ndonëse i njohur si tifoz i Olympique de Marseille, reagoi në rrjetin social X, duke shkruar:

“Një ditë e lavdishme për PSG-në! Bravo, të gjithë jemi krenarë. Parisi, kryeqyteti i Evropës sonte.”

Kjo fitore shënon për herë të parë që Paris Saint-Germain ngre trofeun më të rëndësishëm të futbollit evropian për klube, duke hyrë kështu në historinë e sportit francez dhe europian.