Paratë e krimit në fushatën elektorale, OSBE/ODIHR nis monitorimin: Do të analizojmë…

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR ka nisur zyrtarisht monitorimin e procesit zgjedhor në Shqipëri, me fokus në transparencën financiare të fushatës dhe ndikimin e mundshëm të parave të krimit në zgjedhje.

Drejtuesi i misionit, Lamberto Zannier, deklaroi se ekipi i tij do të analizojë të gjitha aspektet e zgjedhjeve, përfshirë edhe financimin e partive dhe kandidatëve.

OSBE/ODIHR do të monitorojë gjithashtu zbatimin e kuadrit ligjor, administrimin e zgjedhjeve dhe ndikimin e faktorëve të jashtëm në procesin elektoral. Raporti përfundimtar i misionit pritet të dalë pas përfundimit të zgjedhjeve.

“26 vëzhgues afatgjatë për zgjedhjet. Do kërkojmë të vijnë edhe 300 vëzhgues të tjerë. Edhe këtë herë, objektivi është të vlerësojmë mënyrën se si do të kryhen këto zgjedhje dhe në përputhje me detyrimet dhe standardet ndërkombëtare që rregullojnë zgjedhjet demokratike.

Ne do të kemi fillimisht dy javë para zgjedhjeve një raport të ndërmjetëm, një ditë pas zgjedhjeve do të kemi gjetjet paraprake, dhe në fund një vlerësim tërësor për procesin e zgjedhjeve dhe do të përmbajë rekomandimet përkatëse.

Puna jonë është të rekomandojmë. Në fakt, diskutojmë me aktorët politikë dhe e dimë që puna për zbatimin e rekomandimeve vazhdon. Puna për realizimin e tyre vijon edhe përmes pranisë së OSBE-së, përmes një programi rajonal që realizojmë ne. Puna jonë është të ngrisim problemet që shohim dhe ky është, në fakt, një formë presioni për rekomandimet e pazbatuara.

Metodologjia e vëzhgimit përfshin edhe financimin e fushatës me para të padeklaruara. Kjo është një nga fushat më të rëndësishme që tregon nëse kemi një model të një vendi të mirë demokratik”,
u shpreh Lamberto Zannier.