“Paratë e heshtura”/ Gjykata jep vendimin për presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump

Gjykata e New York-ut, nën drejtimin e gjykatësit Juan Merchan, ka shpallur vendimin për presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, lidhur me rastin e njohur si “Paratë e Heshtura”. Pavarësisht 34 akuzave të ngritura, gjykata nuk ka vendosur asnjë masë ndëshkuese, si burg apo gjobë, ndaj Trump.

Në një deklaratë gjatë seancës gjyqësore, Trump e quajti procesin një përvojë të tmerrshme dhe kritikoi sistemin gjyqësor të New York-ut. “Ky rast ka qenë një kthim prapa për New York-un dhe sistemin gjyqësor të tij,” u shpreh ai.

Trump vazhdoi të këmbëngulë në pafajësinë e tij, duke deklaruar: “Fakti është se unë jam plotësisht i pafajshëm. Nuk kam bërë asgjë të gabuar.”

Gjatë fjalës së tij, ai përmendi gjithashtu rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024, duke pretenduar se kishte fituar votën popullore me “miliona e miliona vota”. “Ata e kanë parë këtë gjyq dhe e kuptuan,” tha Trump, duke iu drejtuar mbështetësve të tij.

Rasti “Paratë e Heshtura” lidhet me dyshimet për pagesa të fshehta të bëra për të mbuluar skandale gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2016. Megjithatë, ky vendim i gjykatës lë të hapur debatin mbi implikimet ligjore dhe politike për presidentin e zgjedhur.