Parashikimi i motit për sot, sa do të shkojnë temperaturat

Vendi ynë gjatë paradites do të jetë nën ndikimin e kthjellimeve në pothuajse të gjithë territorin, por herë pas here do të ketë kalime të lehta të vranësirave të cilat më të theksuara pritet të jenë në zonat veriore. Ndërsa orët vijuese largojnë gradualisht vranësirat nga territori duke lënë vendin nën mbizotërimin e motit të kthjellët dhe temperaturave të larta, ku më prezente kthjellimet do të jenë në zonat bregdetare të Shqipërisë.

Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 16°C deri në 37°C. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 30 km/h nga drejtimi perëndimor dhe veriperëndimor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 1 ballë.

Kosova

Orët e para të mëngjesit dhe mesdita do të sjellin në Republikën e Kosovës mbizotërim të intervaleve të gjata me kthjellime të cilat më të dukshme pritet të jenë në zonat Jugperëndimore. Ndërsa në zonat Veriore dhe Lindore do të ketë alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Por pritet që pas mesdite vranësirat gradualisht të bëhen më të dukshme në të gjithë territorin e Kosovës, por nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit do të ngjiten deri në 32 gradë C në qytetin e Gjakovës.

Maqedonia e Veriut

Territori i MV do të vijoj me alternime kthjellimesh dhe kalime vranësirash edhe gjatë ditës së enjte, ku kthjellimet do të jenë më të dukshme gjatë paradites dhe në zonat Jugore dhe Perëndimore. Ndërsa pas mesdite parashikohet që vranësirat kalimtare të shfaqen në të gjithë vendin, ku më të fokusuara pritet të jenë në zonat Verilindore të MV. Temperaturat e ajrit në orët e para të mëngjesit regjistrojnë 15 gradë në Gostivar dhe në mesditë do të ngjiten deri në 35 gradë në qytetin e Shkupit.

Evropa

Evropa Veriore dhe Lindore mbeten nën ndikimin e vranësirave të shumta të cilat sjellin në këto rajone të kontinentit reshje të shoqëruara, herë pas here me fuqizim të parametrit të erës. Po ashtu me vranësira dhe shira paraqiten Evropa Qendrore ku parashikohet që reshjet të jenë edhe në formën e rrebesheve. Ndërsa me kthjellime dhe temperatura të larta pritet të jetë e gjithë pjesa tjetër e Evropës ku vlera më të larta priten në gadishullin Iberik dhe gadishullin e Ballkanit.