Parandalohet krimi i rëndë/ Tentoi të vriste me armë zjarri një 33-vjeçar, arrestohet i riu në Lezhë

Policia e Lezhës ka parandaluar një konflikt që mund të kishte përfunduar me pasoja tragjike, duke arrestuar në flagrancë një 32-vjeçar që tentoi të vriste një person tjetër me armë zjarri.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë Danjel Nikolli, banues në fshatin Shënkoll, Lezhë. Nikolli është konfliktuar fizikisht me shtetasin E.T., 33 vjeç, për motive të dobëta dhe më pas ka qëlluar dy herë në drejtim të tij me pistoletë, duke tentuar ta vrasë.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë, u parandalua përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës, ndërsa autori u neutralizua dhe arrestua në vendngjarje. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit dhe dy gëzhojat e përdorura gjatë konfliktit.

“Salla Operative e Drejtorisë vendore të Policisë Lezhë, mori njoftim se në fshatin Shënkoll po ndodhte një konflikt mes dy personave. Shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë reagimit të shpejtë, parandaluan përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit me armë zjarri.

Në pranga u vu shtetasi Danjel Nikolli, 32 vjeç, për veprat penale ‘Vrasja e mbetur në tentativë’ dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit’”.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.