“Paralizohet” Tirana! Mbahet sot samiti i SEECP-së, ja akset ku kufizohet qarkullimi i mjeteve
Në kuadër të masave të marra për garantimin e sigurisë dhe për mbarëvajtjen e lëvizjes së delegacioneve të huaja pjesëmarrëse në Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), Policia e Tiranës ka hartuar një plan të detajuar masash për menaxhimin e qarkullimit në kryeqytet.
Sipas policisë për shkak të zhvillimit të aktivitetit të nivelit të lartë, të kryesuar nga Presidentët e vendeve pjesëmarrëse, më datë 16 Qershor 2025, do të ketë kufizime dhe bllokime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore.
Qytetarët këshillohen të shmangin këto akse dhe të përdorin rrugë alternative gjatë ditës së sotme.
NJOFTIMI I POLICISË
“PARALIZOHET” TIRANA/ Mbahet sot samiti i SEECP-së, AGJENDA!
Në kuadër të planit të masave të marra për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së lëvizjes së delegacioneve të huaja, të kryesuara nga Presidentët përkatës, me rastin e zhvillimit të Ministerialit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore #SEECP, ju informojmë se më datë 16.06.2025, do të ketë bllokime dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore, konkretisht:
Në ardhje të delegacioneve
Aeroporti i Rinasit– Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës-Tiranë” – Unaza e Re – Rrethrrotullimi i Saukut – Rruga e Elbasanit– Rruga “George W Bush” – Rruga “Urani Pano”-Rruga “Dervish Hima”.
-Në largim të delegacioneve:
Rruga “George W Bush” – Rruga e Elbasanit– Rrethrrotullimi i Saukut – Unaza e Re – Sheshi “Shqiponja” – Autostrada “Tiranë-Durrës” – Mbikalimi i Kasharit – Aeroporti i Rinasit.
Gjithashtu, po me datë 16.06.2025, gjatë zhvillimit të aktivitetit, do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit, parkimit të automjeteve si dhe lëvizjes të këmbësorëve, në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e Dibrës.
⏰ Orari i kufizimeve do të varet nga mbërritja e delegacioneve në Aeroportin e Rinasit.
Policia e Tiranë kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve për kufizimet e përkohshme. Bashkëpunimi juaj është i domosdoshëm për garantimin e një eventi kaq të rëndësishëm për vendin dhe për ruajtjen e rendit e sigurisë publike.
AGJENDA E SAMITIT
Eventi nis në orën 11:30.
Nga ora 11:30 deri më 11:40, do të bëhet fjala hapëse e Ministrit për Evropën dhe Punëve të Jashtme, Igli Hasani.
Nga ora 11:40 deri më 13:00, do të mbahet turneu i tavolinës sipas radhës së folësve. Tema e diskutimit do të jetë “Rritja e Konkurrueshmërisë së Rajonit dhe Rritjes Gjithëpërfshirëse si Rrugë drejt Integrimit në BE për Pjesëmarrësit Aspirantë të SEECP-së”.
Më pas, nga ora 13:00 deri më 13:10, parashikohet të mbahet deklarata e këtij samiti.
Për rreth 20 minuta, deri në orën 13:30, do bëhet dorëzimi i kryesisë së SEECP-së.
Pas gjithë këtyre, do të mbahet dhe një foto familjare mes lidërve prezentë.
Presidenti Bajram Begaj do të presë kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kuadër të kryesimit të këtij procesi nga Shqipëria.
“Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” është tema e këtij sesioni plenar që do të hapet nga Presidenti Begaj në cilësinë e Kryetarit në detyrë të Samitit të SEECP.
Presidenti Begaj në mbyllje të samitit do t’i kalojë homologut të tij bullgar, Presidentit Radev Kryesinë e radhës të SEECP-së.