Paralajmëron Moska: Evropa po përgatitet për luftë! Zaharova! Furnizimi me “Patriot” do të zgjasë konfliktin në Ukrainë

Rusia ka ngritur sërish tonet kundër Perëndimit, duke paralajmëruar se Evropa po shkon drejt militarizimit dhe përgatitjes për një konflikt të ri të armatosur. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova, ka komentuar të martën për Reuters mbi mundësinë që vende të NATO-s të furnizojnë Ukrainën me sisteme kundërajrore Patriot, duke theksuar se një veprim i tillë nuk do të ndihmonte në mbylljen e konfliktit, por përkundrazi, do ta zgjaste më tej atë që Rusia e quan “operacion special ushtarak”.

“Furnizimi i Ukrainës me ‘Patriot’ do të vononte zgjidhjen e konfliktit dhe do ta përkeqësonte situatën në terren,” deklaroi Zaharova, duke përsëritur qëndrimin rus se operacioni në Ukrainë do të vazhdojë derisa të përmbushen të gjitha qëllimet e shpallura nga Kremlini.

Ajo nuk kurseu as kritikat ndaj Bashkimit Europian, të cilin e akuzoi se po ndjek gjurmët e Reich-ut të Tretë, duke ushqyer, sipas saj, një ideologji të bazuar në superioritet racial dhe duke e trajtuar Rusinë si armik të hapur. “Bashkimi Europian, nën pretekstin e një kërcënimi nga lindja, po rikthehet në militarizim dhe nuk e fsheh më këtë fakt,” tha ajo.

Duke përdorur një frazë të njohur të diplomacisë perëndimore për ndarjen mes “kopshtit të lulëzuar” dhe “xhunglës së egër”, Zaharova e quajti këtë koncept një “ringjallje të makthit nazist”, duke pretenduar se Rusia është e detyruar të mbrojë sigurinë e saj përballë këtyre rreziqeve.

Në përfundim, ajo tha se operacioni special i Rusisë në Ukrainë do të përmbushë objektivat e shpallura, për të çrrënjosur, sipas saj, “ideologjinë antinjerëzore” dhe për të respektuar trashëgiminë e atyre që luftuan në Luftën e Dytë Botërore.