Paralajmërimi i fortë i Macron: Nëse Putin nuk ndalet, mund të sulmojë Moldavinë dhe Rumaninë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se nëse Vladimir Putin nuk ndalet në Ukrainë, ai mund të vazhdojë më tej, duke kërcënuar Moldavinë dhe Rumaninë.

Gjatë një fjalimi për sigurinë evropiane, Macron tha se shkëputja e mundshme e SHBA-së nga Ukraina nuk do të ishte në interesin e vetë Uashingtonit, pasi kjo do të dëmtonte strategjinë e tij gjeopolitike përballë Rusisë, Kinës dhe fuqive të tjera.

Presidenti francez ngriti gjithashtu idenë e krijimit të një ombrelle bërthamore evropiane për të forcuar sigurinë e kontinentit, duke argumentuar se Franca është e vetmja fuqi bërthamore në BE dhe duhet të zhvillojë një dialog strategjik me vendet që nuk kanë armë bërthamore.

“Ne kemi mburojë, ata jo. Dhe ata nuk mund të varen më nga parandalimi bërthamor amerikan. Ne kemi nevojë për një dialog strategjik me ata që nuk e kanë, dhe kjo do ta bëjë Francën më të fortë,” theksoi Macron.