Paralajmërimi i Elon Musk: Evropa ose do të vazhdojë të vdesë, ose do të…

Manjati i njohur i teknologjisë, Elon Musk, ka rihapur debatin mbi rënien e popullsisë në Evropë, përmes një postimi të fortë në platformën X. Ai publikoi një hartë që paraqet nivelin aktual të lindshmërisë në vendet evropiane, të cilën e shoqëroi me mesazhin:

“Evropa ose do të fillojë të ketë familje të mëdha, ose do të vazhdojë të vdesë.”

Me këtë deklaratë, themeluesi i SpaceX dhe Tesla theksoi edhe një herë shqetësimin e tij të hershëm mbi rënien e lindjeve në vendet e zhvilluara, duke e konsideruar këtë fenomen si një nga rreziqet më të mëdha për të ardhmen e qytetërimit perëndimor.

Të dhënat më të fundit nga institucionet evropiane tregojnë se shumë shtete – përfshirë Italinë, Spanjën, Gjermaninë dhe disa vende të Evropës Lindore – kanë norma lindshmërie dukshëm më të ulëta se pragu i zëvendësimit të popullsisë prej 2.1 lindjesh për grua. Ky nivel konsiderohet i domosdoshëm për të ruajtur stabilitetin demografik afatgjatë.

Komentet e Musk kanë shkaktuar reagime të përziera në opinionin publik dhe në qarqet akademike. Ndërsa disa i japin të drejtë dhe ndajnë të njëjtat shqetësime për krizën demografike, të tjerë e akuzojnë për thjeshtim të një çështjeje komplekse. Kritikët theksojnë se Musk injoron faktorë të rëndësishëm si imigracioni, ndryshimet kulturore, barazia gjinore dhe sfidat ekonomike që ndikojnë në vendimet për të krijuar familje.

Në vitet e fundit, shumë vende evropiane po përballen me pasoja të dukshme të plakjes së popullsisë, si mungesa e fuqisë punëtore, rritja e barrës mbi sistemet e pensioneve dhe presioni mbi shërbimet shëndetësore publike.