Paradoksi! Shqipëria ndër vendet me ecurinë më të mirë ekonomike në rajon, por varfëria është rritur
Shqipëria po rezulton një nga vendet me ecurinë më të mirë ekonomike në rajon, sa u përket shifrave dhe rezistente ndaj goditjeve të ndryshme si tërmeti, pandemia, apo lufta, por kjo ecuri nuk duket se ka ndikuar në përmirësimin e jetesës së qytetarëve të saj. Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) të publikuara në staf raportin e fundit për konsultimin e artikullit IV për vitin 2023, bënë të ditur se varfëria në vend është rritur vitet e fundit.
Sipas raportit, niveli i varfërisë arriti në 25.2% në vitin 2022, nga 22% që kishte qenë në 2021, me një rritje prej 3.2 pikë përqindje brenda një viti. FMN thotë që perspektiva e anëtarësimit në BE mund të ofrojë një shtysë për të adresuar sfidat strukturore të gjata, një prej të cilave është dhe varfëria.
“Shkalla e varfërisë është e dukshme në krahasim me homologët e rajonit dhe depërtimi i kredisë është i ulët”, thotë FMN në raport. “Shqipëria ka pasur gjithashtu flukse të mëdha emigracioni, pasi fuqia e saj e punës është joshur nga të ardhurat më të larta në vendet e BE-së. Korrupsioni dhe mangësitë në sundimin e ligjit mbeten shqetësime strukturore të kahershme”.
Sipas FMN-së, ndryshe nga shumë vende, norma e varfërisë në Shqipëri është më e ulët tek të moshuarit, në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë.