Paradoksi/ Eurostar: Ushqime të shtrenjta, por Shqipëria mbajti rekord për peshën e bujqësisë në Europë
Shqipëria po përballet me një paradoks, ku çmimet e ushqimeve për herë të parë në histori e tejkaluan mesataren e Bashkimit Europian, por ndërkohë vendi ka peshën më të lartë të bujqësisë në të gjithë Europën.
Të dhënat e fundit të Eurostat bënë të ditur se sektori i “bujqësisë, peshkimit dhe pyjeve” kontribuoi me 17.9% në krijimin e vlerës së përgjithshme ekonomike të Shqipërisë në vitin 2024. Kjo peshë është shumë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian prej 1.7%, por dhe më shumë se dyfishi krahasuar me shtetet e rajonit.
Në vend të dytë është Kosova, ku bujqësia sjell 8.8% të vlerës së shtuar bruto[1]. Në vend të tretë është Maqedonia e Veriut, me 8.8%, e ndjekur nga Mali i Zi me 6.5%, Turqia me 6.3% dhe Bosnjë Hercegovina me 5%.
Në rajon, peshën më të ulët të bujqësisë e ka Serbia, me 3.7%, duke qenë më poshtë edhe se Greqia (3.8%) dhe Kroacia (4.1%).
Në Shqipëri, kontributi i bujqësisë në ekonomi ka ardhur duke u ulur në vite, teksa në vitin 2019, ky tregues ishte 21%, por sërish vendi mbetet më bujqësori në Europë. Fakti që jemi vendi më bujqësor në Europë nuk ka ndihmuar aspak që qytetarët e vendit të kenë produkte ushqimore më të lira. Përkundrazi.
Të dhënat e tjera të Eurostat treguan se për herë të parë që nga viti 2005, kur njësia europiane e statistikave mat të dhënat, indeksi i Çmimeve të Ushqimeve dhe Pijeve jo Alkoolike për Shqipërinë e ka lehtë kaluar nivelin 100% (100.1%).
Kjo do të thotë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë 1% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian, në një kohë që të ardhurat sipas metodës së fuqisë blerëse janë sa 41% e mesatares së BE-së. Produktet më të shtrenjta ushqimore për familjet shqiptare në raport me BE-në janë vezët, djathi dhe qumështi, që kanë kërcyer në 131% të mesatares së BE-së, nga 119.5% vitin e mëparshëm.
Shqipëria i ka çmimet më të shtrenjta dhe në raport me vendet e rajonit. Serbët blejnë ushqimet me çmime që janë sa 96.4% e mesatares së BE-së. Në Mal të Zi ushqimet kushtojnë sa 84.4% e mesatares së BE-së, në Bosnjë sa 83.2% dhe më të lirat, jo vetëm në Europë, por dhe në rajon janë në Maqedoninë e Veriut, sa 73.4% e mesatares së BE-së.
Bujqësia shqiptare vuan nga problematika të thella që nisin nga që copëzimi i tokës, që nuk mundëson ekonominë e shkallës, subvencionimet më të ulëta se vendet e rajonit, konkurrueshmërinë e ulët, ndërprerjen e zinxhirit të vlerës si dhe emigrimin që ka ulur disponueshmërinë e fuqisë punëtore. Të dhënat e fundit të INSTAT bënë të ditur se sektori i blegtorisë është në rënie të lirë si për nga numri i krerëve dhe nga sasia e prodhimit. Sipas INSTAT u shënuan rënie të krerëve në të gjitha llojet e kafshëve për mish dhe qumësht, duke përfshirë edhe pulat gjate vitit 2024 në krahasim me 2023. Rënia e numrit të krerëve u reflektua edhe në nën-produktet mish dhe bulmet./Monitor