Parada e shqiptarëve në New York, kryebashkiaku Eric Adams vishet kuq e zi: Mezi pres të vij në Shqipëri

Qyteti i New York-ut u gjallërua nga ngjyrat kuq e zi të flamurit shqiptar gjatë paradës madhështore të shqiptarëve, që u zhvillua me bekimin e kryetarit të Bashkisë, Eric Adams. I veshur me simbolet kombëtare shqiptare, Adams priti përfaqësues të komunitetit shqiptar në Gracie Mansion dhe shprehu respektin dhe admirimin e tij për kontributin e tyre në metropolin më të njohur të botës.

Gjatë fjalës së mbajtur, Adams i përshëndeti pjesëtarët e komunitetit shqiptar dhe i inkurajoi të mos harrojnë rrënjët e tyre. “Duhet ta doni Shqipërinë më shumë se Amerikën,” u shpreh ai me humor, duke theksuar se dashuria për atdheun nuk përjashton dashurinë për vendin e adoptuar. Ai zbuloi gjithashtu se edhe djali i tij është i dashuruar me Shqipërinë dhe mezi pret të vizitojë vendin për të përjetuar bukuritë e tij natyrore.

Adams vlerësoi rolin e shqiptarëve në forcimin e qytetit. “Një paradë është simbolike në këtë vend si një mënyrë për të deklaruar se ju jeni pjesë e gjithçkaje në të cilën besojmë. Kur marshoni në rrugët tona kryesore me flamurin tuaj kuq e zi, ju tregoni që nuk keni pse të braktisni vendin tuaj për të dashur vendin tuaj të dytë, Amerikën. Ju i keni të dyja,” tha ai.

Kryebashkiaku përmendi se në New York jetojnë rreth 200,000 shqiptarë, të përhapur nga “Shqipëria e Vogël” në Bronx deri tek “Shqipëria e Vogël” në Queens, të cilët kanë krijuar një forcë të madhe politike dhe kulturore. Ai falënderoi shqiptarët për etikën e tyre të punës, përkushtimin ndaj sigurisë publike dhe kontributin e tyre në jetën e përditshme të qytetit.

“U deshën 109 kryetarë bashkie para meje që të kuptohej nevoja për një paradë të Ditës së Shqiptarëve në New York City. Ne e bëmë të ndodhë dhe do të jetë një nga paradat më të bukura që ka parë ky qytet. Dua të falënderoj heronjtë tuaj, ata që sot kontribuojnë për këtë qytet, për gjithçka që përfaqësoni,” shtoi Adams.

Në fund të fjalës së tij, Adams shprehu dëshirën për të vizituar së shpejti Shqipërinë. “Mezi pres të shkoj në Shqipëri dhe të shijoj lumenjtë, detet, malet e bukura dhe gjithçka që keni për të ofruar. Faleminderit dhe gëzuar Ditën,” përfundoi ai mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve.