Para, sende me vlerë dhe orendi, arrestohet banda e hajdutëve në Durrës! Zbardhen 6 raste vjedhjeje

Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Step by Step”, duke zbardhur dhe dokumentuar 6 raste të vjedhjes me thyerje, të kryera në lagje të ndryshme të qytetit, në makina, lokale dhe banesa. Operacioni ka çuar në arrestimin e dy autorëve të dyshuar, E. R., 31 vjeç dhe K. M., 42 vjeç, të dy banues në Durrës dhe me precedentë të mëparshëm kriminalë.

Hetimet e zhvilluara nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës u bazuan në kallëzimet e marra nga drejtues automjetesh, pronarë lokalesh dhe banesash për një seri vjedhjesh të ndodhura gjatë muajit janar. Pas analizimit të inteligjencës policore, autorët u identifikuan dhe u arrestuan.

Dyshimet janë se autorët, prej datës 15 deri më 23 janar 2025, kanë kryer vjedhje me thyerje në lagjet Nr. 1, 16 dhe 18 të qytetit, duke vjedhur lekë, orendi dhe sende të tjera me vlerë. Puna për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme të vjedhjes është duke vijuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës”, kryer në bashkëpunim.