Para plagosjes efektivi i policisë Erjon Goxhara takoi bashkëshorten e Lorenc Kosta dhe nipin e tij/ Vijojnë kërkimet për kapjen dhe negociatat me familjarët

Detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në Tiranë ku efektivi i policisë Erjon Goxhara plagosi me armë zjarri inxhinierin e ERE, Lorenc Kosta. Në materialin hetimor të Policisë së Tiranës që është dërguar në Prokurori evidentohet një takim mes efektivit të Policisë, bashkëshortes së tij dhe nipit të policit shtetasit L.B.

Takimi ka ndodhur mëngjesin e 19 gushtit, ditën kur ka ndodhur ngjarja, në një qendër tregtare në periferi të Tiranës ku është shoqëruar me tensione dhe debate. Në dosje thuhet se në momentin kur ka përfunduar ky takim, bashkëshortja e Goxharas ka goditur veten me grushta, ndërsa kjo e fundit nuk pranonte të kërkonte falje.

Në deklarimet e dhëna para Oficerëve të Policisë Gjyqësore në prezencë të psikologut, djali i mitur i çiftit bashkëshortor, konfirmon konfliktet mes prindërve të tij që nga mesi i korrikut, kohë kur sipas tij, e ëma pranon dyshimet e Goxharës për lidhjen jashtë martesore me Kostën, për të cilën thotë se ka ndodhur vetëm një herë. Polici i ka kërkuar të shoqes që të kërkonte ndjesë, por që kjo e fundit nuk ka pranuar. Të njëjtën ditë, Goxhara pasi mbaroi takimin në qendrën tregtare shkoi në shtëpinë e tij dhe ka organizuar ngjarjen.

Sipas grupit hetimor efektivi I policisë 46 vjeçar, e ka mbajtur në vëzhgim 45 vjecarin Kosta dhe deri në këtë fazë hetimi, ka dyshime se nuk ka patur qëllim ta vrasë. Pas plagosjes Goxhara telefonoi djalin ku e preti te rrethrrotullimi i Shkozës. Policia e lokalizoi dhe arriti te ndalojë vetëm djalin e mitur por jo efektivin.

Po ashtu kërkimet janë shtrirë edhe jashtë Tirane, apo edhe në Memaliaj nga ku kishte dhe origjjnën. Policia po vijon negociatat edhe me familjarë të efektivit që ta bindin të vetëdorëzohet. Ditën e ngjarjes efektivi ka shkuar te rrethrrotullimi i Shkozës ka marrë djalin e tij dhe kanë hipur në taksi, kanë shkuar deri në zonën e Freskut. Kur Goxhara ka parë policinë, ka zbritur dhe është larguar me vrap i vetëm.