Papës iu dha lamtumira e fundit, Meloni: Dëshmi e jashtëzakonshme e efikasitetit! Ditë historike për gjithë botën

Rreth 400 mijë njerëz morën pjesë në funeralin madhështor të Papa Franceskut, sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë.

Pas ceremonisë madhështore mortore në nder të Papa Françeskut, që u mbajt në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe u pasua nga kortezhi solemn në rrugët e Romës deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, reagoi dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila vlerësoi organizimin dhe angazhimin institucional të treguar gjatë kësaj dite historike.

“Dua të theksoj përkushtimin e madh dhe efikasitetin e jashtëzakonshëm që u tregua nën koordinimin e Departamentit të Mbrojtjes Civile. Të gjithëve u shpreh falënderimet e qeverisë dhe të miat personale për profesionalizmin, përkushtimin dhe frymën e shërbimit që treguan, duke siguruar zhvillimin e qetë të një dite historike për Italinë dhe për gjithë botën”, tha kryeministrja Meloni.

Papa Françesku, i njohur për përulësinë, përkushtimin ndaj të varfërve dhe përpjekjet për reformimin e Kishës Katolike, do të mbahet mend si një nga papët më të dashur dhe më progresistë të kohës moderne.