Papa: Në një botë me shumë kriza, duhet bashkëpunim shumëpalësh
Megjithëse i shtruar në spitalin Gemelli të Romës, Papa Françesku nuk e ndal punën, pavarësisht se në mënyrë tejet të reduktuar. Në Poliklinikën universitare nënshkruan mesazhin, që i dërgoi sot Asamblesë së Përgjithshme të Akademisë Papnore për Jetën, mbledhur sot e nesër në Institutin Augustinianum, në Vatikan. Ati i Shenjtë vë në dukje krizën e shumanshme globale, në të cilën ndërthuren konfliktet, pasojat e ndryshimeve klimatike, çështje energjitike, epidemitë, fenomenet migratore dhe risitë teknologjike.
Përgjigja për këto sfida është më e ndërlikuar në një botë, ku organizmat ndërkombëtare kanë gjithnjë e më pak rëndësi e forcë, pasi shpesh, politika e vendeve të ndryshme mendon vetëm për “interesat e veçanta dhe kombëtare”. Një kuadër, i cili dominohet nga “ligji i më të fortit”. Në mesazhin e tij, Papa vëren sa rezistencë i bëhet “ndryshimit, si nga njerëzit, ashtu edhe nga shoqëritë”. Kujton se pandemia Covid ishte rast, siç e pati thënë vetë atëherë, për të dalë më të mirë si njerëzim, por rezultoi rast “i humbur”, pasi nuk arriti të favorizojë shndërrimin e vërtetë të ndërgjegjeve dhe të praktikave shoqërore, siç urohej në Nxitjen apostolike “Laudate Deum”.
Si e kuptojmë sot botën dhe kozmosin?
Papa përdor termin “polikrizë”, pra, krizë e shumanshme, duke shpjeguar se ai pasqyron “dramaticitetin e situatës historike që po përjetojmë”, në të cilën bashkohen shumë elemente. “Gërshetimi i këtyre çështjeve kritike, të cilat prekin njëkohësisht përmasa të ndryshme të jetës, na shtyn të ngremë pyetje për fatin e botës dhe për kuptimin tij nga ana jonë”, vëren Papa. “Hapi i parë që duhet bërë – këshillon Ati i Shenjtë – është të shqyrtojmë më me kujdes se si e kuptojmë sot botën dhe kozmosin”. “Nëse nuk e bëjmë këtë dhe nëse nuk e analizojmë seriozisht rezistencën e thellë, që i bëjmë ndryshimit, si njerëz dhe si shoqëri, do të vazhdojmë të bëjmë ç’kemi bërë me krizat e tjera, madje, edhe me ato më të fundit”, si pandemia e Covid-19.
Bashkëpunimi shumëpalësh për “të mirën e përbashkët”
Përballë kësaj “krize të ndërlikuar planetare”, nënvizon Papa Françesku, “duhet të vlerësojmë mjetet, që kanë shtrirje globale”, pavarësisht nga përpjekjet për ta zvogëluar gjithnjë e më shumë rëndësinë e organizmave ndërkombëtare, të cilat minohen nga qëndrime dritëshkurtër e nga mbrojtja e interesave të ngushta të një grupi apo të një vendi. Duhet të impenjohemi “me vendosmëri” për “organizata globale më të frytshme, të pajisura me autoritet për të siguruar të mirën e përbashkët globale, zhdukjen e urisë dhe të varfërisë, si edhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut”, ngre zërin Ati i Shenjtë. “Në këtë mënyrë – shkruan ai në mesazh – nxitet një bashkëpunim shumëpalësh, që nuk varet nga rrethanat e ndryshueshme politike apo nga interesat e disave dhe ka efektivitet të qëndrueshëm. Kjo është detyrë urgjente, që ka të bëjë me mbarë njerëzimin”, përfundon Papa.
Asambleja e përgjithshme e Akademisë për Jetën
Kujtojmë se më 3 dhe 4 mars, Asambleja e përgjithshme e Akademisë Papnore për Jetën mbledh në Vatikan fitues të Çmimit Nobel, shkencëtarë planetarë, fizikanë, biologë, paleoantropologë, teologë, historianë, për të diskutuar mbi temën “Fundi i botës? Kriza, përgjegjësi, shpresa”. Jo rastësisht, akademikët udhëhiqen në reflektimet e tyre nga një mozaik i Bazilikës së Shën Markut në Venedik, që pasqyron patriarkun Noe, në çastin e lirimit të pëllumbit nga arka, ku strehoheshin të gjitha gjallesat e botës.