Papa Leoni XIV mban fjalimin e parë si udhëheqës i Kishës Katolike: Të mbajmë në mendje zërin e dobët të Papa Françeskut që…
Robert Prevost, tani i njohur si Papa Leoni XIV, ka bërë daljen e tij të parë nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit, duke përshëndetur besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.
Në fjalimin e tij të parë si papë, ai i drejtoi fjalët “Paqja qoftë me ju të gjithë,” turmës që e priste me entuziazëm.
“Ky është përshëndetja e parë e Krishtit të ringjallur, bariut të mirë që dha jetën e tij për Perëndinë,” tha Leoni XIV, duke shpjeguar zgjedhjen e tij për këtë përshëndetje. “Dhe unë dua gjithashtu që kjo përshëndetje e paqes të hyjë në zemrat dhe familjet tona.”
Duke vijuar fjalimin, Papa Leoni XIV tregoi emocion të dukshëm teksa përshëndeti me dorë turmën e mbledhur poshtë ballkonit.
Ai gjithashtu nderoi pararendësin e tij, Papa Françeskun, duke kujtuar bekimin e tij për Romën dhe mbarë botën.
“Le të mbajmë në mendje zërin e dobët të Papa Françeskut që bekoi Romën. Papa që bekoi Romën, dha bekimin e tij për të gjithë botën atë mëngjes të Pashkëve. Më lejoni ta vazhdoj atë bekim. Perëndia na do. Perëndia i do të gjithë. E keqja nuk do të triumfojë,” tha ai në italisht para mijëra të pranishmëve në Vatikan.
Papa Leoni XIV, i cili më parë njihej si kardinali Robert Prevost, kaloi në spanjisht për të përshëndetur “dioqezën e tij të dashur” në Peru.
“Për dioqezën time më të dashur në Peru, ku një popull besnik shoqëroi peshkopin e tij për të ndarë besimin me të dhe që ka bërë aq shumë për të qenë një kishë besnike,” tha ai.
Prevost, i cili ka shërbyer si misionar për një dekadë në Trujillo dhe më pas si peshkop i Chiclayo nga viti 2014 deri në 2023, shprehu mirënjohjen e tij për komunitetin që e ka mbështetur gjatë viteve të tij të shërbimit.
Ai bëri thirrje për një kishë “sinodale”, që ecën përpara dhe gjithmonë kërkon paqen, duke qenë pranë atyre që vuajnë.
Papa Leoni XIV gjithashtu në fjalimin e tij të theksoi vizionin e tij për një Kishë Katolike që ndërton ura dhe angazhohet në dialog të hapur.
“Duhet të përpiqemi së bashku të jemi një kishë misionare. Një kishë që ndërton ura dhe dialog. Duhet të tregojmë dashurinë tonë ndaj të tjerëve dhe të jemi në dialog me dashuri,” deklaroi Papa Leoni XIV, duke përcjellë mesazhin e tij të parë për besimtarët.