Papa Leo XIV u drejtohet priftërinjve të rinj: Kisha është e plagosur, rindërtoni besueshmërinë me jetë…
Në një meshë të veçantë të kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit për shugurimin e njëmbëdhjetë priftërinjve të rinj të dioqezës së Romës, Papa Leo XIV u dha një mesazh të qartë dhe të ndjeshëm të gjithë klasës priftërore: “Kisha është e plagosur, ndaj jini të besueshëm. Transparencë të jetës, jetë të njohura, jetë të lexueshme, jetë të besueshme.”
Papa theksoi rëndësinë që priftërinjtë të jenë dëshmitarë të besueshëm në mes të popullit të Zotit. “Së bashku do të rindërtojmë besueshmërinë e një Kishe të plagosur, të dërguar një njerëzimi të plagosur. Ende nuk jemi të përsosur, por është e nevojshme të jemi të besueshëm”, – tha ai. Ai nënvizoi gjithashtu: “Dashuria e Krishtit na zotëron, është një zotërim që çliron dhe na mundëson të mos zotërojmë askënd. Çliro, mos zotëro.”
Përpara meshës, Papa Leo kishte zhvilluar një audiencë me përfaqësues të shoqatave humanitare, përfshirë OJQ-në “Mediterranea Saving Humans” dhe lëvizje të tjera laike dhe katolike që veprojnë në mbrojtje të refugjatëve dhe viktimave të dhunës. Kapelani Don Mattia Ferrari falënderoi Atin e Shenjtë për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme, duke zbuluar se ata tashmë kanë një anije të re shpëtimi, e cila simbolizon përkushtimin për të zbatuar në praktikë mesazhin e Papës për vëllazërinë dhe drejtësinë.
Në një mesazh tjetër të drejtuar Konferencës Episkopale Franceze, Papa Leo XIV theksoi nevojën që Kisha të përballet me materializmin, indiferentizmin dhe individualizmin me guxim dhe frymë misionare. Ai bëri thirrje për frymëzim nga shenjtorët e kanonizuar një shekull më parë, si Shën Gjon Maria Vianney, Shën Gjon Eudes dhe Shën Tereza e Jezusit Fëmijë, për të ngjallur entuziazëm dhe për t’i dhënë guxim të rinjve që të ndjekin rrugën e priftërisë në një kohë me mungesë thirrjesh.
Pas tri vitesh në të cilat shugurimet priftërore ishin kryesuar nga Kardinali Angelo De Donatis, Papa Leo XIV riktheu traditën e shugurimeve personale, duke kremtuar vetë meshën solemne në Shën Pjetër – një sinjal i fuqishëm për rëndësinë që ai i jep rilindjes shpirtërore të Kishës përmes përulësisë, dëshmisë së sinqertë dhe shërbimit të ndershëm.