Papa Leo XIV hap Instagram, mbledh 12 milionë ndjekës në 24 orë! Ja cili është postimi i parë
Papa i ri, Leo XIV, ka bërë debutimin e tij në rrjetin social Instagram, duke mbledhur gati 12 milionë ndjekës brenda 24 orëve nga zgjedhja e tij. Në profilin e tij zyrtar janë publikuar disa imazhe të thjeshta, të marra gjatë shpalljes së tij në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Në postimin e tij të parë, Papa Leo XIV shkroi: “Paqe për të gjithë ju!”, një mesazh që sipas tij vjen nga vetë Krishti i Ngjallur. Ai shprehu dëshirën që kjo paqe të përhapet në zemrat, familjet dhe kombet e gjithë njerëzimit.
Papa Leo XIV, me emrin e lindjes Robert Francis, u zgjodh në Konklavë nga 133 kardinalë dhe është i pari amerikan që mban këtë emër papnor. I lindur në vitin 1955, ai është diplomuar në matematikë në Universitetin Villanova dhe ka marrë doktoraturë në të drejtën kanonike në Romë.
Gjatë jetës së tij si meshtar, Papa Leo ka shërbyer kryesisht në Amerikën Latine, veçanërisht në Peru, ku ishte misionar që nga viti 1985. Përveç anglishtes, ai flet rrjedhshëm spanjisht, italisht, frëngjisht dhe portugalisht, si dhe ka aftësi në latinisht dhe gjermanisht.