Papa Françesku u përlot nga rrëfimi i meshtarit shqiptar që i mbijetoi komunizmit – Kardinal Ernest Simoni kryen nderimet e fundit për Atin e Shenjtë

Ndërsa bota e krishterë mban zi për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, një figurë e shquar e kishës katolike shqiptare, Kardinal Ernest Simoni (Troshani), ka kryer nderimet e fundit për Atin e Shenjtë, me të cilin e lidhte një marrëdhënie e veçantë dhe e mbushur me emocione të thella shpirtërore.

Takimi i parë mes Papa Françeskut dhe Dom Ernest Simonit ndodhi më 21 shtator 2014, gjatë një vizite historike të Atit të Shenjtë në Shqipëri. Gjatë pritjes ceremoniale në katedralen “Shën Pali” në Tiranë, Papa Françesku u përball me një dëshmi tronditëse që do ta prekte në mënyrë të thellë – rrëfimi i meshtarit shqiptar që kishte kaluar 28 vite burgim e internim në diktaturën komuniste, thjesht për shkak të besimit të tij në Krishtin.

Dom Ernest Simoni, i cili në atë kohë ishte 88 vjeç, rrëfeu përpara Papës përndjekjen që kishte përjetuar si një nga të paktët priftërinj katolikë të mbijetuar nga terrori i regjimit ateist shqiptar. Ai kujtoi se ishte dënuar fillimisht me varje në litar pasi kishte mbajtur një Meshë Përshpirtjeje për presidentin amerikan John Kennedy, me udhëzim të Papa Palit VI. Dënimi me vdekje iu konvertua më pas në burgim dhe punë të rëndë, ku iu desh të përballej me brutalitetin ekstrem të hetuesve komunistë, njëri prej të cilëve i kishte thënë: “Ty do të të varim si armik, sepse i ke thënë popullit të vdesim për Krishtin.”

Papa Françesku nuk i mbajti dot lotët gjatë këtij rrëfimi dhe i puthi duart meshtarit shqiptar, në një gjest të jashtëzakonshëm përulësie dhe respekti.

Vetëm dy vite më vonë, në vitin 2016, Papa Françesku e shpërbleu besnikërinë dhe qëndresën e këtij shërbëtori të Kishës, duke e ngritur Dom Ernest Simonin në rangun e Kardinalit dhe duke e bërë pjesë të Kolegjit të Kardinalëve – një ngjarje historike për Kishën Katolike Shqiptare. Ai u bë kardinali i dytë shqiptar pas Mikel Koliqit. Po atë vit, Vatikani shpalli “të lumë” 38 martirët shqiptarë të persekutuar nga regjimi komunist.

Marrëdhënia mes Papës dhe Kardinalit shqiptar vijoi përtej këtij nderimi. Në 95-vjetorin e lindjes së Ernest Simonit, më 14 shkurt 2024, gjatë audiencës së përgjithshme në Vatikan, Papa Françesku e falënderoi publikisht për shërbimin e tij të palodhur ndaj Kishës dhe për shembullin e tij të pathyeshëm të besimit.