Papa Françesku në gjendje jo të mirë shëndetësore, Vatikani nxjerrë detaje të reja

Vatikani ka njoftuar se Papa Françesku, i cili është shtruar në spitalin Gemelli të Romës për një trajtim të vazhdueshëm, po kalon një situatë klinike komplekse.  88-vjeçari po merr trajtim për një infeksion polimikrobial në traktin e tij të frymëmarrjes, pas diagnozës së bronkitit që kishte për disa ditë.

NJOFTIMI I VATIKANIT:

“Rezultatet e analizave të kryera ditët e fundit dhe sot dëshmojnë për një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes, që ka çuar në ndryshimin e mëtejshëm të terapisë. Të gjitha testet e kryera deri më sot tregojnë për një kuadër klinik të ndërlikuar, që do të kërkojë kohën e duhur për qendërimin në spital”. Kështu bëhet e ditur në komunikatën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, e cila njofton për gjendjen shëndetësore të Papës Françesku, i shtruar në Poliklinikën Gemelli nga e premtja, 14 shkurt.

Terapia vazhdon

“Humori është i mirë,” u deklaroi zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, gazetarëve të mbledhur në Sallën e Shtypit, të cilëve u tha sot paradite se mbrëmë – pas ditës së tretë në spital – Papa Françesku “pushoi mirë, kaloi një natë të qetë dhe sot, hëngri mëngjesin, ashtu si në ditët e mëparshme”, duke iu kushtuar edhe leximit të disa gazetave. “Terapitë natyrisht po vazhdojnë”, shtoi Bruni, që sqaroi se do të jepen informacione të mëtejshme për shëndetin e Atit të Shenjtë.

Pra, Papa mbetet “nën kontroll spitalor”, nënvizoi zëdhënësi, i cili, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, sqaroi se, tani për tani, nuk parashikohet të dalë nga spitali dhe se vlen ende rregulli i “pushimit absolut”, vendosur nga mjekët. Kjo ishte arsyeja pse dje, në mesditë, Ati i Shenjtë – për herë të parë – nuk arriti të thoshte Engjëllin e Tënzot të së dielës.

Dy telefonata me Gazën

Pavarësisht nga shtrimi në spital, Françesku nuk mungoi në takimin e tij të përditshëm me famullinë e Familjes Shenjte të Gazës, duke i telefonuar, si gjithnjë në orën 19, famullitarit, atë Gabriel Romanelli dhe të gjithë refugjatëve, që strehohen aty. Vetë atë Romanelli e konfirmoi këtë, në telefon me mediat e Vatikanit, duke shpjeguar: “Ati i Shenjtë na telefonoi në dy ditët e para të shtrimit, njerëzit e prisnin në orën 20.00 (me orën e Gazës), si gjithmonë dhe, pavarësisht se ishte ndërprerë energjia elektrike në të gjithë zonën e Gazës, ai nguli këmbë dhe arriti të na kontaktonte me një video-telefonatë. Na pyeti si ishim, si ishte situata, na dha bekimin e tij. Njerëzit i treguan afërsi, ai i falënderoi dhe u dha bekimin”. “Ia dëgjuam zërin. Me të vërtetë është më i lodhur. Ai vetë na tha: duhet të kurohem. Por zërin e kishte të qartë, na dëgjoi mirë”, nënvizon meshtari argjentinas.

Një mesazh për famullitarin Romanelli

Ndërkaq, mbrëmë, “Papa Françesku më dërgoi me shkrim një mesazh në celularin tim”, tregoi atë Gabrieli. Njerëzit nuk prisnin ndonjë komunikim nga Papa, pasi i dinin “lajmet dhe informacionet e Selisë së Shenjtë për bronkitin e tij”. Megjithatë, Jorge Mario Bergoglio deshi të ishte i pranishëm: “Më dërgoi një mesazh të shkurtër, duke thënë se falënderonte për afërsinë dhe lutjet dhe na i kthente me bekime”. Lutje, që vazhdojnë pandërprerë, nënvizon atë Romanelli: “Shpresojmë që [Papa] të shërohet sa më shpejt dhe të kthehet në Shën Pjetër për të vazhduar misionin dhe punën e tij”.