Papa Francesku ndërron jetë, Rama në Kavajë: Kisha raport personal me të, ja çfarë më tha kur i përmenda armiqtë

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me gratë dhe vajzat socialiste, mori lajmin për ndarjen nga jeta të Papa Franceskut.

Në shenjë respekti, Rama kërkoi një minutë heshtje në sallë, ndërsa ndau edhe një kujtim personal me Atin e Shenjtë, duke treguar për një bisedë të veçantë mes tyre.

Rama: Më vjen keq, ka ardhur një mesazh ka ndërruar jetë Papa Francesku. Kam pasur raport personal me të. Më çonte vazhdimisht mesazhe me arqipeshkvin dhe më vjen jashtëzakonisht keq, zgjodhi të vizitonte Shqipërinë të parin vend jashtë Vatikanit kur u bë Papë. Në Shqipëri kaloi një ditë që ai vetë e konsideroi të paharrueshme. Tha edhe fjalën e paharrueshme se Shqipëria nuk ka harmoni fetare, por vëllazëri fetare. Kam mirëkuptimin tuaj ta nderoj me një minutë heshtje.

Më kujtohet në takimin e dytë në Vatikan, e pyes i them: Atë i shenjtë,  më duket se keni  bërë shumë armiq, duke thënë gjëra që nuk i ka thënë kurrë një papë. Më tha kryeministër, nëse nuk i them ato që kam për të thënë tani që kam kohën me njerëzit kur do i them, kujt do i them krimbave kur të shkoj në varr.