Papa Françesku nderon Kryepeshkopin Anastas: Promovoi bashkëjetesën paqësore mes feve
Gjatë ceremonisë së funeralit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, u lexua një letër ngushëllimi nga Papa Françesku, përmes së cilës ai shprehu vlerësimin e tij për figurën dhe veprën e Kryepeshkopit.
Në letrën e lexuar nga kreu i delegacionit të Vatikanit, Papa kujton takimin e tij me Anastas Janullatosin gjatë vizitës në Shqipëri dhe thekson kontributin e tij të jashtëzakonshëm në rindërtimin e besimit pas periudhës së ateizmit shtetëror.
“Shërbimi baritor i zellshëm i Kryepeshkopit ndihmoi njerëzit të rizbulonin pasurinë dhe bukurinë e fesë së tyre, pas viteve të persekutimit. Ai tregoi përkushtim të thellë ndaj Ungjillit, duke i shërbyer dhe duke e shpallur Zotin në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, në Greqi, Afrikë dhe Shqipëri,” shkruan Papa Françesku.
Kreu i Vatikanit vlerësoi gjithashtu angazhimin e Kryepeshkopit në ruajtjen e unitetit me Kishat e tjera Ortodokse dhe promovimin e dialogut ndërfetar. “Ai punoi me vullnet të mirë për të ndërtuar bashkëjetesën paqësore mes Kishave dhe feve të ndryshme,” theksoi Papa.
Duke kujtuar momentin e ardhjes së Kryepeshkopit Anastas në Shqipëri, Papa tregoi se ai u prit me urimin e Pashkëve në greqisht, por u përgjigj shqip, si shenjë e dëshirës së tij për të jetuar me popullin shqiptar dhe për të dëshmuar dashurinë e Zotit mes atyre që kishin vuajtur shumë.
Në fund të letrës, Papa Françesku shprehu lutjen e tij që Kryepeshkopi Anastas të prehet në paqe dhe të bashkohet me dëshmitarët e fesë që kanë shpallur fjalën e Zotit në mbarë botën.
Letra e Papës, lexuar gjatë funeralit
“Feja e bashkësisë ortodokse shqiptare sigurisht që u mishërua në jetën e vëllait tonë të dashur, shërbimi baritor i zellshëm i të cilit i ndihmoi njerëzit ta rizbulonin pasurinë dhe bukurinë e saj, pas vitesh ateizmi të imponuar nga shteti dhe pas persekutimit. Për këtë, ruaj kujtime të bukura nga takimi im me Fortlumturinë e Tij, me rastin e udhëtimit tim të parë apostolik jashtë Italisë…
Duke marrë përsipër përgjegjësinë e udhëheqjes së Kishës Ortodokse Shqiptare, deshi të depërtonte në thellësitë e zemrave të atyre, që besuan, veçanërisht në traditën dhe identitetin e tyre, pa e humbur asnjëherë bashkimin me Kishat e tjera Ortodokse. Njëkohësisht, u impenjua me vullnet të mirë në dialog dhe promovoi bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera.
Kur mbërriti në Shqipëri – disa priftërinj e pritën me urimin e Pashkëve në greqisht “Christos Anesti!”. Ai u përgjigj shqip, duke shprehur dëshirën e tij të zjarrtë për të jetuar me popullin dhe për të dëshmuar dashurinë e Zotit, e cila mposht çdo errësirë dhe shtypje, mes atyre që kishin vuajtur shumë.
Tani që jeta e tij tokësore arriti në fundin e saj, që mban datën e 27 janarit, lutem që, me mëshirën e Zotit, Atit të Gjithëpushtetshëm, Fortlumturia e Tij ta lëvdojë në amshim Trininë Shenjte, së bashku me të gjithë dëshmitarët e fesë dhe barinjtë, që u kanë shpallur fjalën e shpëtimit popujve, kudo dhe në çdo kohë”.