Papa Françesku kritikon planet e Trump për deportimin e emigrantëve ilegalë: Turp nëse realizohen
Papa Françesku ka kritikuar planet e Donald Trump për deportimin e emigrantëve ilegalë nga Shtetet e Bashkuara, duke i cilësuar ato si një “turp” nëse do të realizoheshin. Gjatë një interviste në një program televiziv italian nga Vatikan, Papa tha se këto masa do të dëmtonin ata që janë “të mjerët dhe nuk kanë asgjë”, duke shtuar se kjo nuk është mënyra për të zgjidhur problemet. Trump ka premtuar të nisë një operacion të madh për dëbimin e emigrantëve të paautorizuar, duke e shpallur atë si një prioritet pas marrjes së detyrës. Papa, ndërkohë, i ka ofruar “përshëndetje të përzemërta” Trump dhe e ka nxitur atë të udhëheqë një shoqëri që të mos ketë vend për “urrejtje, diskriminim apo përjashtim” dhe të promovojë “paqen dhe pajtimin midis popujve”. Papa Françesku, i njohur për angazhimin e tij ndaj çështjeve të emigrantëve, ka thënë më herët se “punën sistematike për të larguar emigrantët me çdo mjet” është një “mëkat i rëndë”. Ai kishte kritikuar edhe më parë ndërtimin e një muri në kufirin meksikan, duke theksuar se një person që mendon vetëm për “ndërtimin e mureve dhe jo të urave” nuk mund të jetë i krishterë. Në vitin 2017, Papa dhe Trump u takuan gjatë një vizite të Presidentit amerikan në Romë, ndërsa Papa ka shmangur të shprehet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të SHBA-së, duke nxitur njerëzit të bëjnë zgjedhjen më të mirë sipas ndërgjegjes së tyre.