Papa Françesku, i cili është shtruar në spitalin Gemelli të Romës që prej javës së kaluar, është diagnostikuar me pneumoni të dyfishtë, duke e bërë gjendjen e tij shëndetësore edhe më komplekse. Vatikani njoftoi më 18 shkurt se 88-vjeçari është nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor dhe po trajtohet me terapi shtesë.
Papa Françesku u shtrua në spital të premten e kaluar pasi vuante nga bronikiti asmatik dhe një infeksion polimikrobik, të cilat e kishin bërë të vështirë frymëmarrjen e tij. Ai po trajtohej me antibiotikë, por pas analizave të fundit, mjekët konstatuan se gjendja e tij ishte përkeqësuar dhe kërkonte trajtim më intensiv.
“Testet laboratorike, radiografia e kraharorit dhe gjendja klinike e Atit të Shenjtë vazhdojnë të paraqesin një tablo komplekse”, tha Selia e Shenjtë në një deklaratë zyrtare. Për këtë arsye, Vatikani ka anuluar të gjitha aktivitetet e Papës deri në fundjavë.
Ky nuk është shqetësimi i parë shëndetësor për kreun e Kishës Katolike, i cili ka udhëhequr Vatikanin që nga viti 2013. Papa Françesku ka kaluar operacione për hernien dhe zorrën e trashë, ndërsa kohët e fundit ka përdorur një karrocë për shkak të dhimbjeve në gju.
Gjendja e tij mbetet nën vëzhgimin e mjekëve dhe për momentin nuk ka informacione mbi një datë të mundshme të daljes nga spitali.