Paniku përfshin Santorinin/ Mbi 200 tërmete në orët e fundit, banorët kalojnë natën jashtë! Avionet dhe anijet mbushen plot

Ishulli turistik i Santorinit është përfshirë nga një valë aktiviteti sizmik shqetësues, me mbi 200 tërmete të regjistruara në orët e fundit, duke shkaktuar panik dhe pasiguri tek banorët.

Nga frika e lëkundjeve të tjera të fuqishme, shumë banorë kanë zgjedhur të kalojnë natën jashtë, në makina ose në zona të sigurta të treguara nga autoritetet. Të tjerë janë grumbulluar pranë spitalit, ku ekipet e emergjencës EMAK janë vendosur në gatishmëri për çdo rast.

Tërmetet e njëpasnjëshme kanë shtyrë një numër të madh banorësh të largohen nga Santorini. Mbrëmjen e së dielës, radhë të gjata u krijuan në agjencitë turistike, ku shumë persona kërkonin të siguronin një biletë për t’u larguar sa më parë. Anijet dhe avionët janë mbushur plot, ndërsa çmimet e biletave ajrore drejt Athinës janë rritur ndjeshëm, duke arritur deri në 200 euro për një vend të fundit.

Mbyllen shkollat në disa ishuj të Cikladave

Në kuadër të masave parandaluese, shkollat, kopshtet dhe çerdhet në Santorini, Amorgos, Paros, Antiparos dhe Naxos do të qëndrojnë të mbyllura sot, pas vendimit të kryebashkiakëve të këtyre ishujve. Gjithashtu, të gjitha aktivitetet e planifikuara në ambiente të mbyllura janë anuluar.

Drejtori i Institutit Gjeodinamik, Vasilis Karastathis, ka sqaruar se sekuenca e tërmeteve po largohet nga Santorini në drejtim të verilindjes, duke ulur rrezikun për dëmtime të mëdha. “Ndërsa distanca e tërmeteve rritet, shqetësimi për pasojat e tyre në Santorini zvogëlohet”, tha ai.

Pavarësisht kësaj, ekspertët po monitorojnë situatën me kujdes, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm. Santorini, një nga destinacionet më të njohura turistike të Egjeut, po përballet me një situatë alarmante që ka tronditur si banorët ashtu edhe vizitorët e ishullit.